COVID-19, humbje miliardëshe e bizneseve, ndihmë sa për të mbijetuar!

30.11.2020

Nga rreth 1 miliard euro humbje sa vlerësohet se shënuan bizneset në Kosovë gjatë pandemisë me COVID-19, Qeveria e Kosovës, deri më tani, i ndihmoi ata me vetëm rreth 150 milionë euro. Në pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, bizneset gëzuan një mbështetje financiare prej mbi 60 milionë euro. […]

COVID-19, humbje miliardëshe e bizneseve, ndihmë sa për të mbijetuar! Foto: Ilustrim

Nga rreth 1 miliard euro humbje sa vlerësohet se shënuan bizneset në Kosovë gjatë pandemisë me COVID-19, Qeveria e Kosovës, deri më tani, i ndihmoi ata me vetëm rreth 150 milionë euro.

Në pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, bizneset gëzuan një mbështetje financiare prej mbi 60 milionë euro.

Me këto mjete ishte paraparë mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 eurosh për 2 muaj, subvencioni i qirasë deri në 50 për qind të vlerës e të tjera.

Ndërkaq, nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, i cili kap vlerën e më shumë se 350 milionë eurove, u ndanë 60 milionë euro për biznese, në bazë të listës së numrit të punëtorëve.

Nga kjo shumë përfituan rreth 36 mijë biznese me më shumë 200 mijë të punësuar. Bizneset kanë përfituar nga 290 euro për secilin punëtor të punësuar.

Por, krahasuar me ndihmën që ka dhënë shteti për bizneset, humbjet janë shumë herë më të mëdha.

Vetëm, sipas të dhënave të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës, bizneset në Kosovë kanë pasur afër 1 miliard euro më pak qarkullim gjatë periudhës së pandemisë, krahasuar me vitin e kaluar.

Të hyrat e aktiviteteve ekonomike që u prekën më së shumti nga pandemia COVID -19, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP është industria e ndërtimit, pasuar nga tregtia, transporti, akomodimi dhe gastronomi.