Pakoja Emergjente, cila është zgjidhja e ofruar për punëtorët që punojnë pa kontrata pune?

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka përmes një shkrimi ka treguar se cila është zgjidhja e ofruar për punëtorët që punojnë pa kontrata pune.

“Pas publikimi të pakos emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmesë në përballjen me pasojat e pandemisë COVID 19, kam pranuar një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh që kryesisht adresojnë problemet e ndërlidhura me disa kategori.

Me synim që sado pak të kontribuoj në zvogëlimin e paqartësive dhe njëkohësisht qetësimin e qytetarëve, më lejoni të shpjegoj sa vijon:

PYETJA:

1. Cila është zgjidhja e ofruar për punëtorët që punojnë pa kontrata pune?

SKJARIMI:

1. Ne jemi të vetëdijshëm që një pjesë e punëmarrësve janë duke punuar pa kontrata. Ky lloj i angazhimit merr dy forma: ose punëtorët punojnë pa kontrata të vlefshme, por punëdhënësi i paguan rregullisht kontributet pensionale dhe obligimet tatimore; ose punëtorët angazhohen komplet në “të zezë”. Në rastin e parë mungesa e kontratës është gjithsesi problematike dhe ka nevojë të adresohet, POR kjo nuk ka efekt për pakon e masave emergjente. Kjo nënkupton, që për ne, në këtë fazë, mjafton informacioni që punëdhënësi i ka paguar kontributet pensionale dhe obligimet tatimore, andaj këta punëmarrës përfitojnë nga pakoja në të gjitha ato rastet kur punëdhënësi argumenton vështirësi financiare si pasojë e masave të qeverisë (pika 1.3.1 e pakos) .

1.3.1. Mbulimi i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim për muajin Prill dhe Maj, deri në vlerë prej tetë milionë (8,000,000.00 €) euro;
[shtuar nga redaksia]

Për ata të cilët kanë punuar në “të zezën”, qeveria ka hapur një dritare që u mundëson punëdhënësve të fusin këta punëtorë në listat e tyre të pagave për muajin mars, dhe t’i pajisin me kontrata një vjeçare.

Pastaj me efekt të menjëhershëm, këta punëtorë bëhen pjesë e përfitimeve nga pakoja (pika 1.14 e pakos).

1.14. Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga njëqind e tridhjetë (130€) euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në gjashtë milionë (6,000,000.00 €) euro;
[shtuar nga redaksia]

Në rast se nuk ndodh kjo, qeveria inkurajon punëmarrësit që të raportojnë statusin e tyre në administratën tatimore të Kosovës.

Nëse punëdhënësit preferojnë të rrezikojnë edhe më tej operimin “në të zezën” dhe të ballafaqohen me konsekuencat ligjore përkatëse, atëherë punëmarrësit e prekur në raste të caktuara mund të përfitojnë nga pika 1.15 e pakos (shiko shpjegimin numër 3).” ka sqaruar Haskuka.

1.15. Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga buxheti i Kosovës, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00 €) euro;
[shtuar nga redaksia]

RAPORTO