07.11.2019, 21:50

Çfarë parasheh marrëveshja e madhe mes LDK-VV, kjo do të jetë pozita për Isa Mustafën

Pazaret mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për ndarjen e pozitave të larta presidenciale, ministrore dhe postet diplomatike nëpër ambasadat e Kosovës në botë vetëm se po i vjen fundi.

Gazeta Metro ka mësuar se marrëveshja mes LDK’së dhe VV’së do të finalizohet këtë muaj, më së largu deri në fillim të muajit dhjetor, ku dy partitë po përballen nga një presion i madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për krijimin e Qeverisë së re dhe fillimin e dialogut me Serbinë.

Nënshkrimi i këtij koalicioni do të jetë nga dy kryetarët, Isa Mustafa dhe Albin Kurti.

Kjo marrëveshje parasheh që Isa Mustafa të jetë President i Kosovës në vitin 2021, si pasues i Hashim Thaçit.

Kjo marrëveshje parasheh që në vitin 2021, të gjithë deputetët e Vetëvendosjes ta votojnë Isa Mustafën për President, marrëveshje kjo që duhet zbatuar si pjesë e koalicionit, përndryshe do të ketë zgjedhje të reja.

Këtë marrëveshje në parim e ka zbuluar vet nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ditë më parë, ku tha se është pozita e Presidentit të cilën po e kërkojnë dhe duhet që ta marrin, është një çështje e cila duhet zgjedhur e  jo pas disa vite të krijohet problem për dy partitë dhe Presidenti të zgjidhet nga zarfi ashtu siç u pati zgjedhur dikur Atifete Jahjaga.

LEXO EDHE:  Gjykata Supreme ka fjalën e fundit për (mos)hyrjen e NISMA-AKR-PD në parlament

Haziri edhe vet e ka zbuluar marrëveshjen dhe kërkesën e LDK’së që Isa Mustafa të jetë President i Kosovës më 2021.

“Për të qenë marrëveshje funksionale duhet të sqarohen të gjitha pozicionet tash. Nëse nuk e sqarojmë tash pozitën e Presidentit ne po paralajmërojmë krizë në vitin 2021….Isa Mustafa i plotëson të gjitha kushtet për të qenë President i Kosovës”, ka thënë Haziri..

Kujtojmë  se gjatë vitit 2016, Albin Kurti nuk kishte fjalë të mira për Isa Mustafën, i cili në atë kohë ishte kryeministër i vendit. Ai e quante Mustafën si ‘argat të Serbisë’, ‘qyqan’, ‘nënshtrues i Thaçit’ e i sulmonte shtëpinë me koktej molotovi dhe eskortën me të cilën udhëtonte.

Krejt në fund kujtojmë se me 6 shkurt të vitit 2016, ishin votat e LDK’së ato që zgjodhën president të Kosovës, Hashim Thaçin, një votim i cili u përcoll mes tensionesh të larta politike, ku dy herë radhazi u ndërpre seancën pasi ishte hedhur gaz lotsjellës dhe jashtë Kuvendit po mbaheshin protesta nga ana e LVV.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.