Çantat mbi 5 kg po i dëmtojnë fëmijët, zgjidhja e problemit ka implikime buxhetore e logjistike

27.11.2021

Çantat e rënda të nxënësve po detyrojnë shumë familjarë që t’i dërgojnë ata në shkollë, e njëherit edhe t’i marrin nga shkolla. Një qytetar për EkonomiaOnline ka thënë se si prind vazhdimisht kanë bërë kërkesa për zgjidhjen e problemit të çantave të rënda, ngase sipas tij, ato po peshojnë mbi pesë kilogram (kg). Ndërkaq, dollapët […]

Çantat mbi 5 kg po i dëmtojnë fëmijët, zgjidhja e problemit ka implikime buxhetore e logjistike Foto: Ilustrim

Çantat e rënda të nxënësve po detyrojnë shumë familjarë që t’i dërgojnë ata në shkollë, e njëherit edhe t’i marrin nga shkolla.

Një qytetar për EkonomiaOnline ka thënë se si prind vazhdimisht kanë bërë kërkesa për zgjidhjen e problemit të çantave të rënda, ngase sipas tij, ato po peshojnë mbi pesë kilogram (kg).

Ndërkaq, dollapët në shkolla ai po i sheh si zgjidhje, kështu duke pohuar se ka raste edhe kur fëmijët kanë pasur problem me shpinën shkaku i peshës së rëndë.

“Ende janë më duket të vegjël për me mujt me mbajt një peshë kaq të rëndë në shpinë. 99% të prindërve po vijnë me i marrë apo po i sjellim fëmijët e tyre në shkollë, mirëpo pavarësisht të gjithave për shembull shkallëve deri sa po vijnë momenti kur po dalin është kogja peshë e rëndë për ta. Unë besoj që edhe ka pasë raste ku kam dëgjuar që kanë pasur problem fëmijët me shpinë e i kanë dërguar edhe te mjeku”.

Po ashtu, ai ka shtuar se vet ai po e ndërron shpes krahët për shkak të peshës së çantës.

“Unë po them po e ndërroj shpesh krahët për shkak të peshës, unë po them katër-pesë kilogram nuk është që e kam mat veç me siguri i ka pesë kilogram ndoshta edhe më tepër, një çantë që për moshë të saj është shumë e madhe”.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Dukagjin Popovci, ka theksuar se e pranon se çantat e fëmijëve shpesh janë edhe të stërmbushura mbi standardin e peshës trupore të tyre.

Ndërsa, sipas zëvendësministrit të Arsimit ky problem që po i përcjellë fëmijët momentalisht nuk mund të zgjidhet nga ana e institucioneve përkatëse, kjo për shkak të mungesë së mjeteve financiare.

“Problemi do të zgjidhej sikur një pjesë të këtyre obligimeve do t’i kryenin në shkollë dhe sikur shkollat të kishin dollapë personal për nxënësit. Krijimi i mundësive të tilla duhet analizuar me kujdes në një të ardhme të afërt, sepse ka implikime buxhetore dhe logjistike”.

Popovcit sqaroi se ky problem mund të zbutet nëse bëhet një planifikim më i mirë nga ana e mësimdhënësve, të cilët duhet t’i udhëzojnë fëmijët, sidomos ata të moshave më të vogla se cilat libra dhe mjete mësimore t’i sjellin në shkollë në ditë të caktuara.