Buxheti i vitit 2022 zjarrfikësit i gjen me të njëjtat probleme, paralajmërohen protesta

10.11.2021

Buxheti i miratuar nga Qeveria më 29 tetor kap vlerën e 2 miliardë e 748 milionë euro. Ndërkaq, nga e gjithë kjo shumë vetëm 10 milionë euro janë ndarë për Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit. Nga Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës janë shprehur të shqetësuar për mënyrën e ndarjes së mjeteve nga ana e Qeveria […]

Buxheti i vitit 2022 zjarrfikësit i gjen me të njëjtat probleme, paralajmërohen protesta Foto: Ilustrim

Buxheti i miratuar nga Qeveria më 29 tetor kap vlerën e 2 miliardë e 748 milionë euro.

Ndërkaq, nga e gjithë kjo shumë vetëm 10 milionë euro janë ndarë për Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit.

Nga Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës janë shprehur të shqetësuar për mënyrën e ndarjes së mjeteve nga ana e Qeveria e Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Muharrem Beka, për FrontOnline ka thënë se kjo shumë e ndarë për zjarrfikësit është e paqartë dhe se e papranueshme, pasiqë të njëjtit janë futur në buxhetin me policinë dhe se nuk dihet se sa është shuma e dedikuar për ta.

“Zjarrfikësit në projekt-buxhet për vitin 2022 nuk janë përfshirë, që i bie se zjarrfikësit edhe viti 2022 i gjen me të njëjtat probleme, pa asnjë rezultat pozitiv”, tha Beka.

Po ashtu, ai ka paralajmëruar protesta në rast se nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk reflektojnë pozitivisht.

“Ne jemi në bisedime me MPB dhe kemi kërkuar sqarime lidhur me këtë çështje dhe nëse nuk reflektojnë pozitivisht ne si sindikatë do të organizojmë protesta si shenjë pakënaqësie me situatën e rëndë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve në Kosovë”, tha ai.

Beka thotë se zjarrfikësit edhe shpenzimet për lëndimet në vendin e punës i paguajnë nga xhepi i tyre i varfër.

“Zjarrfikësit kushtet e punës i kanë minimale. Mungojnë pajisjet për siguri personale, e pajisje kolektive, zjarrfikësit nuk kanë as sigurime shëndetësore, edhe lëndimet në vendin e punës për shpenzime mjekësor duhet që vet t’i paguajnë nga xhepi i tyre i varfër, si dhe nuk kompensohen as për ndërrimet për punën e natës as festat shtetërore dhe fetare. Zjarrfikësit e kanë koeficientin më të ulët në nivel vendi”, shprehet Beka