Bujqit e Rahovecit përkrahen me 21 milionë euro grante e subvencione

27.05.2024

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë vikendit ka qëndruar në qytetin e Rahovecit, me ç’rast ka shënuar “Ditën e Verarisë”, ku në këtë aktivitet është shoqëruar nga përfaqësuesit e Shoqatës së Verëtarëve, të Gastronomëve dhe të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.

Bujqit e Rahovecit përkrahen me 21 milionë euro grante e subvencione Foto: Ilustrim

Peci gjatë vizitës nëpër bodrumet e verës në këtë komunë, ka bërë të ditur se gjatë udhëheqjes së këtij dikasteri, bujqit e komunës së Rahovecit janë përkrahur deri më tani me 21 milionë euro në kategorinë e granteve dhe subvencioneve, si dhe në kategorinë e kompensimit të dëmeve ne bujqësi, përcjell Klankosova.tv.

“Nga viti 2021 deri në vitin 2024, 1.5 milion euro është vlera me të cilën janë subvencionuar verëtarët për litër vere të prodhuar, ndërsa 6.7 milionë euro është shifra me të cilën janë subvencionuar vreshtarët për hektarë te vreshtës për vitin 2021, 2022 dhe 2023. Ndërsa, deri më tani me rreth 2.2 milionë euro kemi përkrahur Komunën e Rahovecit me grante në bujqësi përgjatë qeverisjen sonë”, theksoi Peci.

Gjatë qëndrimit në Rahovec, ministri së bashku me përfaqësuesit e gastronomisë kosovare kanë vizituar bodrumet e verës “Kosova Wine”, “Illyrian Wine”, “Bodrumi i Vjetër” e “Stone Castle”, me qëllim të krijimit të urave të bashkëpunimit ndërsektorial që zinxhiri ekonomik të plotësohet brenda prodhuesve, përpunuesve dhe afaristëve vendorë.

”Sot është Dita Ndërkombëtare e Verarisë dhe kemi ardhur në Kryeqytetin e Bujqësisë, në Rahovec ku është qendra dhe promovimi kryesor i verarisë në Kosovë. Shënimi i kësaj dite ka disa arsye, e para promovimi i punës së mirë që po bëjnë vreshtarët dhe verëtarët në ofrimin e verës sa më cilësore”, shtoi Peci.