Trendi i dërgesave të parave nga diaspora kosovare apo remitencave ka shënuar rritje viteve të fundit.

Paratë e mërgimtarëve dërguar në Kosovë, vitin e kaluar kanë tejkaluar vlerën prej 800 milionë euro, duke shënuar vlerën më të lartë që nga viti 2004, kur remitencat kishte arritur në 357 milionë euro.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se remitencat edhe këtë vit vazhdojnë të jenë njëra ndër shtyllat kryesore të të hyrave për Kosovën.

“Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore shënuan vlerën prej 553.3 milionë euro deri në gusht 2019, apo 6.3 përqind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit 2018″, thuhet në raportin e fundit të BQK-së.

Remitencat që kanë shënuar rritje janë ato që vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, ku nga këto shtete dërgohen 41.3% përkatësisht 19.8% e gjithsej remitencave.

Po ashtu remitenca të shumta pranohen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), gjegjësisht 7.1% e gjithsej remitencave të pranuara në Republikën e Kosovës.

BQK ka njoftuar se: “Në kuadër të llogarisë financiare, hyrjet e IHD-ve në Kosovë arritën vlerën prej 199.2 milionë euro duke shënuar rritje prej 22.9 përqind krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit 2018”.

Në kuadër të strukturës së IHD-ve, sipas BQK-së, kapitali dhe fondi i investimeve në aksione arriti vlerën prej 161.0 milionë euro dhe shënoj rritje prej 2.1 përqind, ndërsa IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerën prej 38.2 milionë euro (4.4 milionë euro në periudhën e njëjtët të vitit 2018).

Shuma e dërgesave nga diaspora brenda një viti konsiderohet se është edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve besohet se hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla, thonë ekspertë për çështje ekonomike.