BQK anëtarësohet në Shoqatën Evropiane të Shtëpive të Kliringut të Pagesave

24.05.2024

Dardan Fusha, Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), dhe Presidenti i Shoqatës Evropiane të Shtëpive të Kliringut (EACHA), Jose Luis Langa, nënshkruan anëtarësimin e BQK-së në këtë organizatë pas votimit të anëtarëve të saj gjatë Takimit Plenar të organizuar në kuadër të Forumit të Pagesave në Sofje të Bullgarisë.

BQK anëtarësohet në Shoqatën Evropiane të Shtëpive të Kliringut të Pagesave Foto: Ilustrim

Sipas BQK-së, anëtarësimi në këtë organizatë paraqet një hap të rëndësishëm, duke marrë parasysh projektet dhe reformat në proces lidhur me digjitalizimin e shërbimeve të pagesave.

Gjithashtu, do të lehtësojë procesin e identifikimit dhe adaptimit të një zgjidhje për procesimin e pagesave të shpejta në Republikën e Kosovës dhe do të lehtësojë qasjen e bankave dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve të pagesave në shtëpitë e kliringut në Evropë, duke mbështetur qëllimin strategjik të BQK-së për modernizimin e sistemeve të pagesave dhe integrimin në SEPA.

EACHA ka anëtarë nga 25 vende të ndryshme evropiane, duke përfshirë disa banka qendrore si ajo e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank) dhe Italisë (Banca D’Italia), si dhe disa nga operatorët dhe infrastrukturat më të mëdha evropiane të pagesave në pronësi të bankave.

Kjo organizatë shërben si një forum për të mbështetur anëtarët e saj në zbatimin e Rregullave dhe Standardeve të Pagesave të Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), si dhe për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit në zhvillimin dhe adoptimin e skemave, sistemeve dhe infrastrukturave të reja të pagesave.

Për më tepër, EACHA përfaqëson nevojat e anëtarëve të saj në institucionet evropiane, duke mundësuar shkëmbimin e informacionit, diskutimin e çështjeve me interes të përbashkët, rrjetëzimin dhe zhvillimin e standardeve për të promovuar ndërveprimin e sistemeve të pagesave me vlerë të vogël në zonën SEPA.

EACHA mban kontakte të afërta me BE-në, BQE-në, EPC-në dhe institucione të tjera evropiane.

Kjo platformë do të ndihmoj BQK-në dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave në adaptimin e standardeve të BE-së dhe përgatitjen e tregut për integrim me skemat dhe sistemet e pagesave të BE-së. Gjithashtu, do t’i mundësoj BQK-së që të jetë e përfshirë për së afërmi në iniciativat dhe zhvillimet e reja në BE, për mbështetjen e avancimit të tregut të pagesave në Republikën e Kosovës.