Në një intervistë për emisionin “Info Magazine”, Bosch ka deklaruar se Gjykata Speciale u krijua mbi bazën e akuzave për trafikim organesh, të cilat më vonë u vërtetuan të pabaza.

“Mendoj se i gjithë procesi ka qenë pak a shumë skandal, një turp, sepse ju e dini se i gjithë procesi nisi kur kam qenë në Prishtinë si ambasador, nisi kur u publikua raporti i (senatorit zviceran, Dick) Martyt dhe gjithkush u befasua tmerrësisht për akuzat rreth trafikimit të organeve. Kjo ka qenë arsyeja mbi të cilën serbët arritën ta shtyjnë komunitetin ndërkombëtar për formimin e Gjykatës Speciale. Dhe nëse ato pretendime do të qëndronin, patjetër që do të ishte e tmerrshme prandaj ndërkombëtarët e mbështetën krijimin e Gjykatës,” ka thënë Bosch.

Ai ka theksuar se pas dy vitesh hetime, ish-kryeprokurori i Speciales, Clint Williamson, konkludoi se nuk kishte trafikim organesh, por krime të tjera të mundshme. Sipas Bosch, vazhdimi i gjykatës ishte i pakuptimtë, duke qenë se ajo ishte krijuar fillimisht për akuzat e trafikimit të organeve.

“Pas 2 vjetësh, (ish-kryeprorkurori i Speciale, Clint) Williamson, prokurori që hetoi këto pretendime, erdhi në përfundim se nuk kishte trafikim organesh por ka krime tjera që mund të jenë kryer. Por, sipas meje, nuk kishte kuptim të vazhdohej sepse një Gjykatë e tillë kushtonte shumë dhe do të duhet të krijohej vetëm për diçka të tmerrshme si trafikimi i organeve,” ka shtuar ai.

Bosch ka argumentuar se, duke qenë se nuk kishte trafikim organesh, çështjet duhej të trajtoheshin brenda Kosovës, duke shfrytëzuar prezencën e EULEX-it. Ai ka kritikuar koston e lartë të Gjykatës Speciale dhe ka sugjeruar se prokurorët dhe gjyqtarët po e zgjasin procesin për përfitime financiare.

“Meqë tani nuk është më ambasador dhe mund të flasë çfarë të dëshirojë, ‘mendoj se kjo tashmë është kryer por gjithë këta prokurorë dhe gjyqtarë që duan të kenë punë që paguhet mirë, vetëm po e vazhdojnë, e vazhdojnë dhe vazhdojnë, por mendoj se në një situatë normale, e kjo për faj të politikanëve që e lejojnë këtë të vazhdojë sepse këto janë taksat e evropianëve që vazhdojnë të paguajnë për këtë Gjykatë,” ka deklaruar Bosch.