Bizneset presin realizimin e premtimeve ekonomike nga qeveria e re

09.10.2019

Investimet në ndërmarrjet publike, përmirësimi i sektorit privat, zhvillimi i bujqësisë dhe investimet në infrastrukturë kanë qenë disa nga prioritetet kryesore në programet e partive politike, të cilat i kanë prezantuar në kuadër të premtimeve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që u mbajtën më 6 tetor. Për bizneset dhe përfaqësuesit e tyre, disa nga këto […]

Bizneset presin realizimin e premtimeve ekonomike nga qeveria e re Foto: Ilustrim

Investimet në ndërmarrjet publike, përmirësimi i sektorit privat, zhvillimi i bujqësisë dhe investimet në infrastrukturë kanë qenë disa nga prioritetet kryesore në programet e partive politike, të cilat i kanë prezantuar në kuadër të premtimeve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që u mbajtën më 6 tetor.

Për bizneset dhe përfaqësuesit e tyre, disa nga këto premtime janë të realizueshme e disa jo.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se ambienti i të bëri biznes në vend nuk është në nivelin e duhur.

“Fatkeqësisht edhe gjatë kohës që nuk po kemi zgjedhje, ambienti i të të bërit biznes nuk është në nivelin e dëshiruar, kemi shumë probleme, nuk kemi rritje të ekonomisë së vendit, për shkak se në vazhdimësi qeveritë nuk e kanë prioritet zhvillimin e vendit. Më shumë po merren me problemet politike dhe në parim nuk po e krijojnë një strategji të përbashkët se kah do të shkojë vendi, që ka sjellë një gjendje jo të mirë biznesin. Si rezultat i kësaj nuk kemi rritje të punësimit, kemi një diferencë të madhe të importit dhe eksportit, kjo nuk po ndryshon për më shumë se dhjetë vite”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi për Telegrafin ishte shprehur se kauzat e partive politike duhet të adresohen çështjet ekonomike në mënyrë konkrete.

“Ne në Kosovë e kemi një agjendë të tejngarkuar politike, me temat të cilat janë të pastërta politike, ose të politikës ditore ose që lidhen me raportet ndërkombëtare dhe e gjithë kjo axhendë, qoftë zgjedhore dhe që po përcjellët pas zgjedhjeve, realisht po e bënë të pamundur që sektori privat ta ketë ndikimin kryesor në rritjen ekonomike të vendit. Ajo që po shohim shumë pak në tërë këtë promovim të këtyre kauzave të partive politike është ideja, platforma, propozimet konkrete se si të adresohet kjo çështje, apo si të çohet përpara një agjendë që e ka parasysh apo prioritet sundimin e ligjit. Praktikat e kaluara na kanë dëshmuar të kundërtën. Ka pasur ide të punësimit apo uljes së papunësisë, të tërheqjes së investimeve të huaja direkte, mirëpo pastaj agjenda politike e kanë ndikuar tampon”, kishte thënë Rukiqi