Bizneset kërkojnë heqjen e tatimit për kallos

Bizneset kërkojnë heqjen e tatimit për kallos
Çlirim Gashi

03.08.2019 / Lajme

Rrjeti i Shitësve me Pakicë tash e dy vjet ka ngritë një shqetësim sa i përket mos trajtimit të kallos apo firës për firmat kosovare nga Ministria e Financave dhe Administrata Tatimor e Kosovës. (Kallo-humbjet të cilat bizneset paguajnë TVSH).

Bizneset duke kërkuar që mos të paguajnë tatime për pjesën e humbjes së kallos, konsiderojnë se humbjet janë 3-5 për qind e qarkullimit vjetor janë nga mos njohja e kallos që dëmtohen ose humbin peshë shumë produkte ushqimore dhe të derivateve.   

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj thotë për KosovaPress se pa dyshim që kjo humbje është shumë e madhe pavarësisht që mund të tingëllojë si e ulët për të ushtruar aktivitetin afarist.

Metaj shton se Rrejti i Shitësve me Pakicë kërkon që kjo barrierë e bizneseve të trajtohet më një Rregullore të specializuar që i trajton vetëm këto tema ku regjistrohet hyrja e çdo produkti në kuptimin e humbjes dhe jo të bazohet në kartelë të artikullit, të bëhet me Udhëzim Administrativ të firës sipas shembujve të shtetit slloven apo atij kroat, si dhe kjo të bëhet përbrenda projektligjit mbi Tatimin e Vlerës së Shtuar.

Drejtoresha Metaj duke numëruar produktet të cilat duhet të trajtohen me kallo nga shteti, tregon për modelin e rekomandimeve të adresuara pran Ministrisë së Financave. 

Këshilltari i ministrit në detyrë në Ministri të Financave, Lulëzim Rafuna pohon se ka qenë një kërkesë e kamotshme e bizneseve që të trajtohet edhe çështja e kallo apo firës, dhe me rastin e hartimit të ligjit të TVSH-së, Ministria e Financave ka angazhuar edhe ekspertizë të jashtme, ku është marrë si model sistemi i Sllovenisë ku me ligjin e Tatimit të Vlerës së Shtuar, i cili tani gjendet në kuvend si draft ligj, aty është para parë një dispozitë e veçantë ku e parasheh që ministri i Financave nëpërmjet një akti nënligjor ta rregulloj edhe çështjen e firës apo kallos.

Rafuna thotë se në momentin që Ligji i Tatimit të Vlerës së Shtuar hynë në fuqi, Ministria e Financave do ta nxjerrë Rregulloren si akt nënligjor të nënshkruar nga Ministri i Financave ku do të rregullohet edhe çështja e trajtimit të kallos apo firës.

Korab Hoxha zëvendës drejtor i kompanisë “Viva Fresh Store”, deklaron se si pasojë e firës, mesatarisht humbjet në këtë kompani janë 2-3 për qind në bazë të qarkullimit vjetor të kompanisë. Kjo sipas tij, është një penalizim për biznesin.

Ndërsa, edhe kryetari i Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Besnik Sylejmani thotë se në bazë të kalkulimeve të qarkullimit vjetor të bizneseve anëtare në Rrjet që kanë 700 milionë euro, vetëm nga kjo barrierë humbjet në vit janë rreth 14 milionë euro.

Sylejmani thotë se po të trajtohet kallo nga autoritetet e shtetit, bizneset do të kishin pasur mundësi të zhvillohen edhe më shumë.

Kallo trajtohet në Kroaci, Slloveni dhe Serbi, por jo edhe në Shqipëri.

Rrjeti i Shitësve me pakicë ka 300 anëtarë ndër ta janë: Viva Fresh Store, ETC, Interex, Princ Coffee House, Maxi, Meridian Express, Albi, Superviva, KFC dhe Jysk.

RAPORTO