Bislimi mori pjesë në një bashkëbisedim me Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare

14.05.2024

Në qëndrimin e tij në Budapest, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ishte i ftuar në Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare (HIIA), ku ligjëroi dhe bashkëbisedoi me përfaqësues të institutit e ku pjesëmarrës në audiencë ishin edhe diplomatë, njohës të çështjeve ndërkombëtare e studentë.

Bislimi mori pjesë në një bashkëbisedim me Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare Foto: Ilustrim

Gjatë fjalës së tij hyrëse, zëvendëskryeministri ndër të tjera përmendi shkallën impresionuese të uljes së papunësisë në vend, si dhe rritjen ekonomike e indikatorët makro ekonomikë pozitiv të cilët përmirësuan performancën e shtetit në tri vitet e fundit. Duke theksuar se regjistrimi i popullsisë i cili po zhvillohet është i rëndësishëm për pajisjen me të dhëna të sakta e ngritjen e politikave të mirë targetuara, ai shtoi se në vazhdimësi është punuar në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Nënvizoi se zhvillimi që ka njohur vendi ynë ka ardhur përtej barrierave me të cilat jemi përballur, dhe se eliminimi i tyre zgjeron mundësitë, kapacitetet e potencialin tonë për avancim të mëtejshëm demokratik.

Më tej, ai theksoi se është e rëndësishme të sigurohemi që kjo rritje ekonomike të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Përmendi edhe arritjen e liberalizimit të vizave, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022, si dhe synimet e objektivat e vendit në procesin e integrimit evropian në prag edhe të Presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së nga Hungaria, rëndësinë e zgjerimit dhe Planit të Rritjes të BE-së, punën e përpjekjet tona në këtë drejtim si dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për interesin e shfaqur për ta njohur më shumë situatën në vend, sfidat me të cilat përballet Kosova dhe objektivat tona për të ardhmen. Para fillimit të sesionit të diskutimit, zëvendëskryeministri Bislimi u mirëprit në takim edhe nga drejtuesi i këtij instituti, Gladden Pappin.