I ftuari i radhës nga Gjykata Speciale, ish-shef e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi ka konfirmuar ftesën që ka pranuar nga Gjykata Speciale.

Ai përmes një bisede telefonike ka treguar se në bazë të ftesës ai duhet të paraqitet në Gjykatën Speciale më 4 gusht 2019. Ai ka treguar se ftesën nga Specialja e ka marrë në cilësinë e të dyshuarit.

Ftesën që Zyrapi është i ftuar nga Gjykata Speciale e ka bërë të ditur paraprakisht presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një reagimi lidhur me ftesën e ish-kryeministrit Haradinaj.

Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së, ka shkruar Thaçi.