Berjani: Ka rënie të çmimit të naftës në Kosovë, po largohemi nga kriza
Para disa jave kishte filluar të ketë rritje enorme çmimi i derivateve të naftës, ku kishte ngjallur reagime e pakënaqësi të shumta nga qytetarët. Çmimi i derivateve të naftës në vendin tonë pothuajse kishte arritur çmimin më të lartë që nga paslufta. Pas rreth dy jave ngritje të çmimeve të naftës, ku brenda ditës kishte […]
Para disa jave kishte filluar të ketë rritje enorme çmimi i derivateve të naftës, ku kishte ngjallur reagime e pakënaqësi të shumta nga qytetarët.
Çmimi i derivateve të naftës në vendin tonë pothuajse kishte arritur çmimin më të lartë që nga paslufta.
Pas rreth dy jave ngritje të çmimeve të naftës, ku brenda ditës kishte lëvizje dy-tri herë në çmime, tashmë ka reflektim të rënies së çmimeve të naftës dhe se Kosova po largohet nga kriza e derivateve.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, për Telegrafin ka thënë se aktualisht çmimet po përcaktohen nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).
Ai tha se ende është një rënie e lehtë e derivateve që sipas tij do të thotë se është një sinjal i mirë dhe se trendi është në rënie.
“Sa i përket çmimeve dihet se i përcakton bursa dhe organizata e OPEC-ut. Çmimet kanë reflektuar me rënie edhe në Kosovë. Kemi rënie të theksuar, ende është një rënie e lehtë e derivateve që do të thotë se është një sinjal i mirë dhe trendi është në rënie. Sipas të gjitha gjasave, dal nga dal po largohemi nga kriza”, tha Berjani.
Sipas tij, aktualisht në Kosovë, një litër dizell kushton ndërmjet 1.50 euro deri 1.52 euro, kurse benzina po tregtohet me 1.39 euro deri 1.41 euro. Në Shqipëri, një litër derivate kushton 1.77 euro, në Maqedoni të Veriut një litër dizell tregtohet me 1.43 euro, kurse benzina me 1.44 euro. Në Mal të Zi, çmimet variojnë nga 1.45 euro deri 1.58 euro, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë çmimet janë 1.45 euro deri 1.70 euro. Në Serbi, dizelli për një litër kushton 1.60 euro, ndërsa për benzinë është 1.65 euro.
Ndryshe, Rozeta Hajdari, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes një konference për media kishte theksuar se nuk ka bllokadë të furnizimit me naftë në tregun e Kosovës.