BE vlerëson zgjedhjet në Shqipëri: Proces transparent, gjithëpërfshirës dhe i organizuar mirë
Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, dhe komisionerja Marta Kos, kanë vlerësuar procesin e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri si transparent, gjithëpërfshirës dhe të organizuar në mënyrë të mirë.
Në një deklaratë të përbashkët, zyrtaret e larta të BE-së kanë shprehur vlerësimin për mënyrën se si u zhvillua procesi zgjedhor.
“Të dielën, populli i Shqipërisë ushtroi të drejtën e tij demokratike për të votuar, duke zgjedhur përfaqësuesit e tij në Parlament. Ne përgëzojmë të gjitha autoritetet kompetente që siguruan funksionim të qetë në të gjithë vendin. Këto zgjedhje shënuan gjithashtu futjen e votimit jashtë vendit për herë të parë,” thuhet në deklaratë.
Duke iu referuar gjetjeve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Kallas dhe Kos theksojnë se “zgjedhjet u menaxhuan përgjithësisht në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e organizuar mirë, pavarësisht disa mangësive.”
Më tej, deklarata vëren se “zgjedhjet në përgjithësi ishin konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale, dhe kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, megjithëse disa raportuan se u përballën me kërcënime.”
Vlerësimi pozitiv nga BE-ja vjen pas përfundimit të procesit zgjedhor në Shqipëri dhe analizës paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë.