BE-ja heq Kosovën nga lista e vendeve të sigurta

30.08.2021

Këshilli i Bashkimit Evropian ka konfirmuar heqjen e Kosovës nga lista e vendeve të sigurta, ndaj të cilave nuk ka pasur kufizime për udhëtime në BE për shkak të pandemisë. Në njoftimin e Këshillit të BE-së thuhet se Këshilli ka rifreskuar listën e vendeve të sigurta dhe nga ajo kanë hequr Kosovën, Maqedoninë e Veriut, […]

BE-ja heq Kosovën nga lista e vendeve të sigurta Foto: Ilustrim

Këshilli i Bashkimit Evropian ka konfirmuar heqjen e Kosovës nga lista e vendeve të sigurta, ndaj të cilave nuk ka pasur kufizime për udhëtime në BE për shkak të pandemisë. Në njoftimin e Këshillit të BE-së thuhet se Këshilli ka rifreskuar listën e vendeve të sigurta dhe nga ajo kanë hequr Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Shtetet e Bashkuara, Libanin dhe Izraelin.

Sipas njoftimit të BE-së udhëtimet që nuk janë të domosdoshme në BE nga këto shtete, do t’i nënshtrohen masave kufizuese. Masa nuk paragjykon vendimet e shteteve anetare që të heqin kufizimet për personat plotësisht të vaksinuar nga këto shtete, thuhet në njoftimin e Bashkimit Evropian.

Rritja alarmante e numrit të të infektuarve dhe numrit të vdekjeve nga pasojat e sëmundjes COVID-19, ka bërë që Bashkimi Evropian të ndryshoj listën e vendeve të sigurta.

Cilat do të jenë kufizimet do të varet edhe nga vendet anëtare të BE-së pasi disa prej tyre edhe më herët, pa e pritur vendimin e Këshillit, kishin vendosur kufizime duke kërkuar testet negative nga ana e udhëtarëve.

Sipas burimeve brenda BE-së, nga vendet të cilat nuk janë në listën e “vendeve të sigurta”, nuk lejohet fare hyrja në BE përveç rasteve për nevoja profesionale apo për shkak të lidhjeve të ngushta familjare.

Nga kufizimet do të përjashtohen edhe personat të cilët në territorin e ndonjë vendi të Bashkimit Evropian kanë vendbanim. Por, edhe ata mund të detyrohen të vendosen në vetizolim për një periudhë të caktuar kohore./REL/