GLPS thekson se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka një mundësi të rëndësishme për të riparuar dëmin e shkaktuar nga paraardhësi i saj në dialogun Kosovë-Serbi dhe në kredibilitetin e BE-së.

Sipas GLPS-së, masat e vendosura ndaj Kosovës ishin të padrejta, vendosja e tyre ishte një gabim, dhe mbajtja e tyre në fuqi për një kohë të gjatë ishte një gabim edhe më i madh, duke dëmtuar rëndë kredibilitetin e BE-së.

“GLPS ka qenë organizata e vetme që ka monitoruar masat dhe ka publikuar hulumtim mbi to. Sipas vlerësimit tonë masat i kanë kushtuar Kosovës së paku mbi 100 milionë euro në kosto oportune, kryesisht në projekte të IPA të dedikuara për sundim të ligjit, demokraci, infrastrukturë etj. Po ashtu, vlen të ceket se ato edhe kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e BE. Më konkretisht, përderisa autorët e sulmit të Banjskës enden të lirë në Beograd dhe takohen me ministra shtetërorë, qytetarët e Kosovës të jenë nën masa të BE,” thuhet në reagimin e GLPS-së.

GLPS vlerëson se formimi i institucioneve të reja në Kosovë do të krijonte një moment pozitiv për heqjen e plotë të masave, dhe se vetëm heqja e plotë e tyre do të mund të gjeneronte vullnet të mirë për përshpejtimin e reformave në kuadër të integrimit evropian, veçanërisht në dialogun me Serbinë.

“Në këtë kontekst, Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas ka një mundësi të artë për zhbërjen e dëmit të paraardhësit të saj ndaj dialogut dhe kredibilitetit të BE-së. Fillimi i heqjes së këtyre masave përbën ogur të bardhë dhe shpresojmë që ky është një sinjal pozitiv për rikthimin e balancit në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi,” thekson GLPS.

GLPS ka njoftuar se do të vazhdojë të monitorojë masat e BE-së ndaj Kosovës deri në heqjen e plotë të tyre dhe procesin e integrimit evropian në përgjithësi.