Batalioni rezervë italian e përfundon misionin katërmujor në Kosovë

05.03.2024

Njësiti italian i Batalionit Rezervë Operativ të misionit të KFOR-it të drejtuar nga NATO-ja përfundoi vendosjen e saj katër mujore me një ceremoni të mbajtur në Pejë.

Batalioni rezervë italian e përfundon misionin katërmujor në Kosovë Foto: Ilustrim

Njësia përbëhej nga regjimenti 186 i parashutistëve italianë “Folgore” dhe personeli shtesë i ushtrisë dhe karabinierëve italianë, njoftuan nga KFOR-i.

Kolonel Giovanni Corrado, komandant i regjimentit “Folgore”, u nderua me medaljen e NATO-s si mirënjohje për meritat e tij të mëdha.

“Do të doja që ky të ishte një moment i njohjes së frymës me të cilin ky grup i madh dhe heterogjen njerëzish iu qas dhe realizoi misionin e tyre”, tha ai.

Zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Federico Bernacca, falënderoi kolonelin Corrado dhe trupat e tij për kontributin e tyre të paçmuar.

“Gra dhe burra të Batalionit të Rezervës Operativ, veprimet tuaja të përditshme treguan besueshmërinë dhe efektivitetin e rolit tuaj. Ju pranuat sfidën dhe me shërbimin tuaj të pakushtëzuar treguat prestigjin e flamurit italian në këtë rajon me rëndësi strategjike për Aleancën”, ka theksuar ai.

Gjeneral brigade Bernacca gjithashtu theksoi rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme të sigurisë së KFOR-it në mbarë Kosovën për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në të mirë të të gjitha komuniteteve.

Zëvendësi i ambasadorit italian, Ugo Ferrero, i shprehu mirënjohjen komandantit të KFOR-it për bashkëpunimin e mirë.

“Dëshiroj të theksoj mirënjohjen që komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Ozkan Ulutas ndau me ne vetëm pak ditë më parë mbi gatishmërinë që treguat në kryerjen e detyrave që ju janë caktuar, përfshirë ato që kanë të bëjnë me ruajtjen e ndërtesave të komunave dhe aktivitetet tjera të sigurisë në veri të Kosovës, veçanërisht në komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit, si dhe në Mitrovicën Jugore, Mitrovicën Veriore dhe Podujevë”, tha ai.

Ai theksoi se KFOR-i italian në 25 vitet e fundit ka qenë sinonim i besimit dhe profesionalizmit, i njohur nga të gjitha palët e përfshira.

Siç thuhet në njoftim, në ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të shumtë të autoriteteve civile dhe ushtarake, duke përfshirë komandantin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), gjeneralmajor Pietro Barbano, komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it, kolonel Francesco Ferrara, komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe, kolonel Massimo Rosati dhe komandanti i policisë ushtarake të Komandës Rajonale Perëndimore, major Francesco Giangreco.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është përgjigja e tretë e sigurisë, pas të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me të cilët bashkëpunojmë ngushtë”, pretendohet në njoftim.