Banka Botërore: Ngadalësim i zhvillimit ekonomik në Kosovë

07.10.2025

Banka Botërore ka publikuar raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor – Vjeshtë 2025, duke theksuar se rajoni, përfshirë Kosovën, po përballet me ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike.

Sipas raportit, Kosova shënoi një rritje ekonomike prej 4.4% në vitin 2024, ndërsa për vitin 2025 kjo rritje pritet të bjerë në 3.8%. Ngadalësimi i ngjashëm pritet të vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim – 3.8% në vitin 2026 dhe 3.9% në vitin 2027, sipas projeksioneve të Bankës Botërore.

Në nivel rajonal, Ballkani Perëndimor do të ketë rritje ekonomike prej vetëm 3.0% në vitin 2025, krahasuar me 3.6% në vitin 2024, duke reflektuar ngadalësim të përgjithshëm të aktivitetit ekonomik në të gjitha vendet, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, të cilat pritet të shënojnë përmirësim krahasuar me vitin e kaluar.

Rënien më të madhe e do të shënojë Serbia, e cila nga një rritje prej 3.9% në 2024, pritet të zbresë në 2.8% në 2025.

Në raport përmendet gjithashtu edhe inflacioni në Kosovë, ku një nga faktorët e përmendur është vendosja e tarifave energjetike, e cila ka ndikuar në çmimet dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Ekspertët e Bankës Botërore rekomandojnë që vendet e rajonit të përqendrohen në forcimin e reformave strukturore, investimet publike të qëndrueshme dhe nxitjen e sektorit privat për të mbështetur një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në të ardhmen.