Azemi: Punëtori me pagë 170 euro të paguajë për polisën kufitare, e papranueshme

24.06.2021

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e 16-të të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Qeveria ka marrë miratimin edhe vendimin për mbulimin e plotë të obligimeve të Primit të sigurimit kufitar nga Qeveria […]

Azemi: Punëtori me pagë 170 euro të paguajë për polisën kufitare, e papranueshme Foto: Ilustrim

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e 16-të të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria ka marrë miratimin edhe vendimin për mbulimin e plotë të obligimeve të Primit të sigurimit kufitar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka sqaruar se ky vendim do të zbatohet nga data 1 korrik.

“Ky vendim na hap rrugën që ne si ministri të lidhemi një memorandum bashkëpunimi që së bashku me BQK e marrim përsipër mbulimin e kostos së primit të sigurimit kufitar dhe mbulimi të filloj prej datës 1 korrik”.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e ka marrur fjalën duke falënderuar kabinetin qeveritar pasi që mërgimtarët e kanë pritur këtë vendim që një kohë të gjatë.

Por, ky vendim i tillë ka ngjallur reagime të shumta në vendin tonë.

Gjithashtu, Organizatat jo qeveritare kanë dalur kundër vendimit për heqjen e primit të sigurimit kufitar apo siç edhe njihet ndryshe si “Kartoni i Gjelbërt”.

Përveç reagimit të OJQ-ve, ky vendim reagim ka ngjallur edhe te sindikata e sektorit privat.

Kryetari i Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka theksuar se vendimi për pagesën e policës kufitare për bashkatdhetarët do ta rëndojë gjendjen e punëtorëve në sektorin privat.

Azemi ka thënë se ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek punonjësit të cilët paguhen me pagë minimale prej 170 eurosh.

“Çdo vendim i Qeverisë së Kosovës i cili shkon në favor të çdo kategori, qoftë të njerëzve që jetojnë në Kosovë, por edhe bashkatdhetarëve ne na gëzon, por megjithëkëtë me vendimin që e ka bërë Qeveria e Kosovës, jemi shumë të irrituar, pasi nëse e bëjmë një krahasim me standardin jetësor të punëtorëve tonë të cilët për atë taksë duhet me paguajnë nga paga e tyre minimale prej 170 eurosh e që i bie se duhet të financohen njerëzit e kategorisë së pasur nga pagat e të varfërve”, ka thënë Azemi për gazetën “Epoka e re”.

Sipas tij, me anë të këtij vendimi qeveria ka vendosur që nga të varfrit t’i paguajë të pasurit.

Ai ka potencuar se në vend të këtij vendimi kjo qeveri do të duhej ta rriste pagën minimale dhe të krijonte kushte për punonjësit e sektorit privat, siç ishte premtuar.

“Po ta rriste pagën minimale siç ka premtuar kryeministri i Kovës dhe të krijonte kushte për punëtorët e sektorit privat siç thoshte se “do ta mbikëqyrim zbatimin e Ligjit të punës dhe marrëveshjet kolektive, atëherë do të ishte më ndryshme, megjithëkëtë jemi të indinjuar karshi këtij vendimi e që për premtimet që na janë dhënë ne, nuk po lëvizet fare. Për ne ky vendim është i paarsyeshëm, sikur kjo të shkonte paralel me krijimin e kushteve për punonjësit e sektorit privat, atëherë t’i gëzoheshim këtij vendimi.

Pra, me këtë vendim po merren paratë nga fukaraja për t’i ndihmuar të pasuritë. Ne po flasim vetëm nga aspekti jonë të ndash mjete nga paga jonë prej 170 euro për njerëzit që marrin mijëra euro, për ne është vendim i paarsyeshëm që ka shkakut pakënaqësi sidomos tek punëtorët që marrin pagën minimale”, ka deklaruar Azemi.