Avokati i Blerim Kuçit i pakënaqur me mënyrën e intervistimit nga Gjykata Speciale

Ish-kryetari i Komunës së Suharekës, tash deputet i Kuvendit të Kosovës, Blerim Kuçi, më 8 prill është intervistuar në Gjykatën Speciale në Hagë.

Sipas avokatit të tij, Artan Qerkini, Blerim Kuçi ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe jo si dëshmitar.

Megjithatë Kuçi gjatë intervistës është mbrojtur në heshtje duke mos u përgjigjur në pyetjet e drejtuar ndaj tij.

Avokati i tij, Artan Qerkini, i cili është i akredituar nga Gjykata Speciale, ka thënë për “Zërin” se nuk ka qenë i kënaqur me procedurat që janë ndjekur gjatë intervistimit të klientëve të tij.

Sipas tij, Prokuroria nuk po e bën të qartë nëse të intervistuarit janë dëshmitarë ose të dyshuar.

“Në intervistimin e zotit Kuqi dhe të tjerëve që kanë pasur procedura në Zyrën e Prokurorit të Specializuar kam thënë se nuk jam i kënaqur me disa procedura që po zbatohen atje. Prokuroria po mundohet të mos dihet qartë pozita procedurale e personit që intervistohet, pra se a është dëshmitar ose i dyshuar”, ka thënë ai.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.