Edhe spitali Rajonal i Prizrenit trajton pacientë me COVID-19, deri më tani 4 të hospitalizuar

Drejtori i Spitalit Rajonal të Prizrenit ” Prim.dr.Daut Mustafa”, dr. Afrim Avdaj, thotë se edhe ky institucion ka filluar me trajtimin e të gjitha rasteve të mundshme që parashihen për shërbime sekondare me Covid-19.

Ai njofton se aktualisht në repartin infektiv janë të shtrirë 10 pacientë, 4 prej tyre të konfirmuar për infektim, 3 të tjerë ndodhen në pritje të testimit ndërsa 3 të tjerë dyshohen si raste të kontakteve, transmeton TvPrizreni.

Drejtori Avdaj, tregon edhe për numrin e mjekëve të infektuar, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet stabile, thekson ai.

Aktualisht kemi në dispozicion 33 shtretër për trajtim të këtyre rasteve, dhe në rast të rritjes së numrit i tërë reparti infektiv do të vihet në shërbim të pacientëve të prekur me Covid-19.

LEXO EDHE:  Grenell: Duhet t’i hiqen vizat Kosovës

Përkundër gjendjes së krijuar, situata ndodhet nën kontroll në institucionin më të rëndësishëm shëndetësor në Prizren, thotë drejtori Avdaj i cili apelon tek qytetarët që t’iu përmbahen rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore dhe atyre qeveritare.

Ndërkaq, sipas drejtuesve të Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike në Prizren, gjatë ditës së sotme në këtë institucion janë kryer edhe 19 testime të reja, 16 nga Prizreni dhe 3 të tjera nga Suhareka.