AUV’i ka konfiskuar 90 mijë kilogramë produkte ushqimore

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që nga përhapja e koronavirusit është mobilizuar që ta ruajë sigurinë e ushqimit duke shtuar numrin e inspektimeve në gjithë vendin, ka thënë, në një intervistë për Ekonomia Online, Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë institucion.

Ai ka treguar se prokuroria dhe policia kanë asistuar në lokacionet e dyshimta të prodhimit dhe përpunimit të mishit, ku kanë konfiskuar rreth 5 mijë kilogramë mish dhe nënprodukte të mishit.

“Gjatë kohës prej kohës kur ka filluar pandemia ne kemi konfiskuar rreth 90 mijë kilogramë produkte ushqimore të ndryshme. Kemi asistuar në rastet e iniciuara nga prokuroria dhe policia e shtetit për lokacionet e dyshimta të prodhimit dhe përpunimit të mishit dhe në këto raste ne kemi konfiskuar rreth 5 000 kilogramë mish dhe nënprodukte të mishit, njëkohësisht ndaj të gjithëve i kemi plotësuar lëndët dhe i kemi asistuar policinë dhe prokurorinë për ndjekje të mëtutjeshme”, ka thënë Thaçi.

Ai ka garantuar se të gjitha produktet që janë në treg janë duke u monitoruar dhe janë të kontrolluar.

“Po ashtu, gjatë gjithë kësaj kohë përmes inspektorëve kemi mbikëqyrur pika tregtare shitëse ushqimore në mbikëqyrje të respektimit të rregullave gjatë shitjes dhe të gjitha produktet që janë në treg janë duke u monitoruar dhe janë të kontrolluar dhe lirisht mund të them se këto produkte deri më tani nuk ka pasur asnjë problem sa iu përket helmimeve apo raste të dyshimit.

Konfiskimi dhe asgjësimi i produkteve ndodh për arsye të ndryshme kur kemi raste kur vetë palët paraqesin kërkesën në autoritetin tonë në kohën kur u skadon afati i produkteve të tyre, po ashtu kemi raste kur ne kemi zënë në treg produkte ku për arsye të ndryshme kanë qenë të ruajtura në kushte joadekuate apo me afat të skaduar apo për rrethana të tjera të cilat janë inspektuar nga inspektorët që nuk i plotësojnë kushtet dhe rrethanat”, ka sqaruar Thaçi.

Thaçi ka sqaruar se tek ankesat e konsumatorëve janë proceduar dhe kanë marrë të gjitha masat kur është vërtetuar se ka pasur shkelje, raporton EO. “Ankesat e konsumatorëve që neve na janë proceduar të gjitha i kemi implementuar në terren dhe secila ankesë ka marrë përgjigje dhe në të gjitha rastet që kemi marrë ankesa me dëshmi dhe argumente të gjitha këto adresa janë kontrolluar dhe në secilin rast ku është hasur apo është vërtetuar shkelja e dyshuar ne menjëherë i kemi marr masat”, ka treguar ai.

Ai ka bërë me dije se kanë konfiskuar 81 krerë gjedhe dhe 114 krerë dele e dhi në komunat e brezit kufitar me Serbinë dhe Maqedoninë e veriut. “Kontrabanda e kafshëve vjen nga komunat e brezit kufitar me Serbinë dhe Maqedoninë dhe gjatë kësaj periudhe kemi hasur në disa raste të kontrabandës ku janë konfiskuar rreth 81 krerë gjedhe dhe janë konfiskuar 114 krerë dele dhe dhi. Të gjitha gjedhet që janë konfiskuar janë vlerësuar apo është bërë identifikimi nga ana e inspektorëve të Agjencisë dhe Veterinarisë”, ka deklaruar Thaçi.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.