AUV fton qytetarët të raportojnë rastet e ngordhjes së shpezëve

AUV fton qytetarët të raportojnë rastet e ngordhjes së shpezëve
Çlirim Gashi

06.06.2021 / Lajme


Që nga 29 maji kur edhe janë paraqitur rastet e para të gripit të shpezëve “H5N8”, në Kosovë, e deri më 4 qershor, ky virus është evidentuar në 20 ferma.

Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, i cili ka njoftuar se shpezët e këtyre fermave janë asgjësuar. Për parandalimin e përhapjes së gripit të shpezëve, AVUK-u fton qytetarët që të raportojnë rastet e ngordhjes së shpezëve të tyre.

Në kohën kur situata me koronavirusin po shkon drejt normalizimit, në Kosovë, shpezët po ballafaqohen me një sëmundje. Fjala është për gripin e shpezëve “Avian Influnza – H5N8”, i cili në vendin tonë është i pranishëm që nga 29 maji, kur edhe njoftoi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ky virus është mjaft fatal për shpezët. Deri më 4 qershor, gripi i shpezëve në Kosovë është hasur në 20 ferma, ka treguar për Radio Kosovën, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.  

“Ne jemi duke punuar me të gjitha ekipet inspektuese veterinare në teren, për të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe hulumtimet diagnostike mbi rastet e dyshimta që raportohen. Deri më tani kemi ndërhyrë në 20 ferma, të cilat kanë rezultuar pozitive me virusin “H5N8”  dhe shpezët e këtyre fermave janë asgjësuar”, tha Thaçi. 

Për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të gripit të shpezëve dhe evitimin e dëmeve ekonomike, zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, fton qytetarët që të lajmërojnë rastet e ngordhjes së shpezëve të tyre.

 “Jemi duke punuar që gripin t’a eliminojmë. Aktualisht përhapja e virusit është tek fermat familjare – private, të cilat kanë numër të vogël të shpezëve dhe ne po bëjmë ç’mos që virusi mos të kaloj tek fermat komerciale, aty ku faktikisht kemi 90 përqind të fondit të shpezëve në Kosovë”, tha zëdhënësi i AVUK-ut. 

Sipas hulumtimeve shkencore relevante, nuk ka fakte evidente se mishi dhe vezët e shpezëve të prekura nga “Avian Influnza – H5N8”, mund ta bartë sëmundjen tek njeriu. Megjithëkëtë, rekomandohet që shpezët e sëmura dhe vezët e tyre të asgjësohen, e po ashtu, edhe konsumatorët të bëjnë kujdes gjatë furnizimit me mish të shpezëve dhe vezë.  

RAPORTO