ATK shënon rritje prej 10.6% në të hyrat tatimore për pesëmujorin e parë të 2025
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar një performancë të fortë në mbledhjen e të hyrave tatimore gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit, janë mbledhur gjithsej 460.4 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
ATK thekson angazhimin e saj të vazhdueshëm për forcimin e integritetit dhe transparencës. Administrata ofron mbështetje profesionale dhe të qasshme për të gjithë tatimpaguesit, me qëllim lehtësimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore.
“ATK-ja mbetet e përkushtuar në forcimin e integritetit dhe transparencës, duke ofruar mbështetje profesionale të rregullt dhe të qasshme për të gjithë tatimpaguesit. Zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë dhe monitorimi i përhershëm i zbatimit të obligimeve tatimore janë thelbësore në rrugëtimin tonë drejt një administrate më të fuqishme dhe më të besueshme”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Në fund, ATK ka falënderuar tatimpaguesit që përmbushin detyrimet e tyre me korrektësi, duke theksuar se kontributi i tyre është drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e përgjithshme të Kosovës. Kjo rritje e të hyrave tregon për një performancë pozitive të ekonomisë dhe një disiplinë më të madhe në përmbushjen e obligimeve tatimore.