ATK publikon formën për lajmërimin e punëtorëve të rinjë

13.02.2024

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se këtë të martë do e publikon Versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI, përmes të cilit do të kërkohet që çdo punëdhënës të informojë ATK-në për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës së punëtorit.

ATK publikon formën për lajmërimin e punëtorëve të rinjë Foto: Ilustrim

Shërbimi i ri elektronik për lajmërimin e punëtorit është funksionalizuar në Sistemin Elektronik EDI duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, gjegjësisht nenin 43, paragrafin 5.

“Përmes këtij shërbimi, çdo punëdhënës është i obliguar për ofrimin e informatave për të punësuarin e ri, sipas formës së përcaktuar nga ATK-ja, e cila gjendet te menyja “Shërbimet – Regjistro punëtorin e ri”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Tutje thuhet se përmes shërbimit “Formular për regjistrimin e punëtorit”, përveç informatave që merren përmes Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC) dhe informatave përmes listëpagesës mujore, punëdhënësi do të jetë i obliguar që të ofroj edhe informatat shtesë, si:

Data e fillimit të punës;

Data e ndërprerjes së punësimit;

Orari i punës, i plotë apo i pjesshëm;

Niveli i shkollimit të punëtorit;

Profesioni i punëtorit;

Pozita e punës së punëtorit, etj.