ATK-ja synon mbylljen e bizneseve që nuk vetëdijesohen me gjoba

  • 30.03.2019, 14:43

Edhe pse Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është duke bërë një lloj presioni ndaj bizneseve për kryerjen e detyrimeve që kanë ndaj shtetit, prapë borxhet ndaj ATK-së janë mjaft të larta, rreth 330 milionë euro, për të cilën shumë ka pasur vërejtje edhe FMN-ja.

Sipas drejtorit të ri të ATK, Ilir Murtezaj, për vetëm dy muajt e parë të këtij viti janë shqiptuar 1 mijë e 691 gjoba në vlerë totale 1.1 milion euro ndaj bizneseve të cilat nuk kanë respektuar ligjet në fuqi trasnsmeton Indeksonline.

Murtezaj nuk ka treguar se cilat kompani publike janë borxhlinjtë më të mëdhenj, por merret vesh se Telekomi i Kosovës është borxhliu më i madh në ATK.

“Si mesazh duhet ta kuptojmë të gjithë komuniteti i biznesit se trajtimi ka me qenë i barabartë për të gjithë tatimpaguesit. Nuk është ky një lloj presioni, ky është një detyrim i zyrtarit tatimor që ta respektojnë ligjin… Aktualisht niveli i borxheve në Administratën Tatimore është rreth 330 milionë euro, që është një shumë e lartë, që do të thotë rreth 70 për qind e planit të të hyrave për këtë vit… Në kuadër të këtyre 300 milionë euro ka edhe shumë borxhe nga kompanitë publike, ndërmarrjet shoqërore”, thotë Murtezaj.

Si problematikë tjetër mbetet edhe shkalla e lartë e informalitetit rreth 31.7 për qind.

Murtezaj thotë se aktualisht janë rreth 30 mijë tatimpagues që janë të pajisur me arka fiskale, ndërsa çështja e implementimit për lëshimin e kuponëve fiskal është një dukuri e cila përkundër shumë aktiviteteve që zhvillohen në terren nga zyrtarë të ATK-së, edhe veprimet që ndërmerren me gjobitje prapë vazhdon të jetë një dukuri shqetësuese dhe e pa papranueshme për ATK-në dhe për shoqërinë.

Ai thotë se ATK-ja dëshiron një ligj që ia mundëson mbylljen e bizneseve të pandërgjegjshme që nuk vetëdijesohen me gjoba.

“Ligji për ATK-në është në procedim e sipër, edhe ne si institucion kemi dhënë rekomandimet tona që të krijohet një bazë juridike që në rastet kur janë të njëpasnjëshme për të njëjtën shkelje për mos lëshim të kuponëve fiskal, të ketë mundësi ligjore në ATK që bëjë edhe mbylljen e atyre biznese. Jo me qëllim për të frikuar, pro me synimin që të krijohet mundësia për zbatim të ligjit… Ka rastisur tatim pagues që ndoshta edhe deri 20-30 gjoba t’i shqiptohen brenda vitit, përkundër këtyre gjobave që janë bukur të larta, prapë kanë vazhduar që mos të lëshojnë kuponë fiskal”, thekson ai. /Indeksonline.net/

Të tjera