ATK bën thirrje për deklarim dhe pagesë të tatimit

Administrata Tatimore e Kosovës, u ka rikujtuar të gjithë personave fizikë jo afarist, personave fizikë afarist dhe personave juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.

“Me qëllim të zbatimit të Vendimit Nr. 01/07 dhe 01/09 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe vendimit të Ministrit të Financave dhe Transfereve të datës 29.04.2020, për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus – COVID 19, Administrata Tatimore e Kosovës, ju ka njoftuar për zgjatjen e afatit për deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe kontributeve pensionale për periudhën tremujore, gjegjësisht TM1/2020 me formularët tatimor IS, IL, QS dhe QL deri më 30 Qershor 2020”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.

“Deri më tani, jo të gjitha bizneset e obliguara kanë deklaruar dhe paguar këto detyrime tatimore, andaj, ATK, u bënë thirrje që sa më parë të deklaroni dhe paguani me qëllim që të përmbushni të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor”.

Poashtu njoftohet edhe për afatin për deklarimin nga të njëjtat biznese për periudhën TM2/2020, ku përmbushja e detyrimit tatimor duhet të bëhet deri me datë 15 Korrik 2020.

“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.