Çlirim Gashi
29.03.2019, 16:33

As nesër nuk ka zëvendësim të orëve, fillon pushimi pranveror

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, edhe një herë e përsëriti se nuk ka zëvendësim të orëve, nga dita e nesërme fillon pushimi pranveror.

Vendimi ynë është i prerë, zëvendësim të orëve të humbura nuk ka, dhe se pritet pas pushimit pranveror të kthehen me energji të reja, deklaroi Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë sepse ne e respektojmë vendimin e Këshillit Drejtues, si organi më i lartë në mes dy kongreseve i SBASHK-ut. Vendimi është i prerë, kompensim të orëve të humbura nuk ka. Ajo që dihet është se nesër fillon pushimi pranveror. Ne iu dëshirojmë fëmijëve pushim dhe vikend të këndshëm, dhe presim që pas pushimit të kthehen me energji të reja”.

Ai përsëri nuk e mohoi mundësinë se nëse bëhet presion për zëvendësim të orëve, të riaktivizohet greva.

“Paralajmërimin për grevë e kemi dhënë nëse do të ketë presione të vazhdueshme mbi mësimdhënësit e Kosovës, se ata obligativisht, apo me urdhra të shkojnë në shkollë. Në të tilla situata ne do të reagojmë, dhe nëse presionet e tilla vazhdojnë ne do ta rikthejmë grevën, sepse ne grevën vetëm e kemi pezulluar, nuk e kemi mbyllur. Greva mund të riaktivizohet pas presioneve ndaj mësimdhënësve”, ka deklaruar ai.

Sipas tij drejtoritë arsimore dhe drejtorët e shkollave kanë marr një detyrë të gabueshme, sepse vendimi është i ministrit. Ata duhet të kujdesen që të jenë sa më afër mësimdhënësve e të mos bëjnë presione, ngase vendimi i ministrit tani më nuk bazohet në ligj.

“Për këtë SBASHK-u e ka dërguar padinë në Gjykatë, dhe ne do të veprojmë në bazë të vendimit që do të sjell institucioni i drejtësisë”, është shprehur ai.

Ndërsa në kalendarin për vitin shkollor 2018/2019, pushimi pranveror figuron nga data 01.04.2019-05.04.2019.