Tatim As në vitin 2020 s’do të paguhet tatim për tokat bujqësore që nuk punohen

Ishte paralajmëruar se qytetarët e Kosovës të cilët posedojnë toka bujqësore e që nuk i punojnë nga ky vit do të detyrohen t’i paguajnë tatim shtetit, por një gjë e tillë siç duket nuk do të ndodhë deri në vitin 2021.

Për shkak se Ministria e Bujqësisë nuk e ka përgatitur ende bazën ligjore për të nisur së zbatuari tatimin për tokën që nuk shfrytëzohet për kultivim.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për KosovaPress, bëjnë të ditur se janë duke punuar në këtë drejtim.

Po ashtu për këtë çështje ka folur edhe Idriz Gashi i cili është shefi i divizionit të tokave bujqësore pranë kësaj ministrie, ai për KosovaPress tha se ende nuk është finalizuar udhëzimi administrativ, ku edhe do të përcaktojë procedurat dhe kriteret se cilat toka bujqësore nuk kultivohen.

Pengesë tjetër për mos nisjen e pagesës së tatimit për tokat bujqësore të papunuara, ai thotë se janë edhe të dhënat kadastrale.

“Ministria e Bujqësisë e ka formuar grupin punues i cili ka punuar një draft të këtij udhëzimi administrativ, mirëpo ende nuk është finalizuar. Arsye tjetër që nuk ka filluar këtë vit është edhe të dhënat kadastrale. Ka një sistem kadastral të pa azhornuar, kështu që paraqet një vështirësi të veçantë në tatimin e tokave bujqësore dhe ato të cilat nuk kultivohen. Arsye tjetër është që kur të vendoset një politik publike ndaj fermerëve duhet me qenë e argumentuar, një pjesë e popullatës aktive e cila në fshatra ka punuar tokën bujqësore më nuk është, ka migruar në vendet më të zhvilluara. Planifikohet që në vitin 2020 të përgatitet ky udhëzim administrativ, të përgatiten të gjitha instrumentet të këtij udhëzimi administrativ dhe të filloj në vitin 2021”, shprehet ai.

Shefi i divizionit të tokave bujqësore, thotë se qëllimi i kësaj politike ishte që të stimulohen qytetarët që t’i punojnë këto toka.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.