PISA Arsimi, dështimi më i madh i vendit

Dështimi i Kosovës në testin ndërkombëtar PISA për të dytën herë radhazi e ka shpërfaqur mospunën e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë në përmirësimin e cilësisë së edukimit.

Kështu vlerësojnë ekspertët e arsimit, të cilët theksojnë se për këto rezultate duhet të thirren në përgjegjësi fajtorët. Për përmirësimin e cilësisë, përveç reformës në arsim, po kërkohet edhe krijimi i një platforme kombëtare arsimore, shkruan sot gazeta Zëri.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka reaguar për rezultatin që Kosova ka marrë në testin ndërkombëtar PISA. Sipas tyre, ky test tregon gjendjen e Kosovës në nivelin arsimor dhe duhet të merret seriozisht nga organet kompetente.

“Testi i PISA-s nuk është dhe nuk mund të merret si komponentë artificiale e arsimit, siç pretendojnë institucionet tona. Ai është një indikator që tregon një gjendje dhe nuk është asnjëherë qëllim i vetvetes, që flet qartë se ka ardhur koha për të marrë përgjegjësi, ngase kjo krizë nuk e amniston askënd”, thuhet në reagimin e ASHAK-ut.

Akademia shkruan se arsimi është një nga dështimet më të mëdha të vendit dhe se kriza e tij është më e madhja e shoqërisë. “Nxënia e dijeve nuk është dështimi i vetëm në arsim, ai është një segment i dukshëm, i afishuar në një mënyrë të tillë, që na bën me dije se Kosova është e përfshirë prej shumë vitesh në një krizë të mësimit dhe të dijes, e cila si shtet dhe si komb na lë pa të ardhme”, thuhet më tutje në reagim.

Drejtori i institutit për studime në edukim “EdGuard”, Rinor Qehaja, më tej për rezultatet jopozitive e ka fajësuar Ministrinë e Arsimit. “Ajo rritje që është pritur dhe është proklamuar nga MASHT-i nuk ka ndodhur. Një rezultat i tillë nuk është befasues dhe arsyetimi i keqadministrimit dhe i mospërgatitjes nga ‘PISA 2015’ më nuk qëndron. Pra dështimi është në cilësi të arsimit parauniversitar në vend dhe për këtë përgjegjës është MASHT-i”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Në këtë drejtim Qehaja ka thënë se MASHT-i nuk u ka ofruar nxënësve as tekste cilësore për mësim. “Është e pakuptimtë të priten rezultate më të mira kur MASHT-i nuk ka ofruar asnjë përkrahje në zbatim të kurrikulës, nuk ka ofruar tekste shkollore cilësore, aq më pak investime në infrastrukturë”, ka shtuar ai. /ZERI/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.