Arrestohet personi që shpërndante video të rreme se Isa Mustafa ka vdekur nga COVID-19

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për shpërndarje të fotografive dhe videove në të cilat shkruhet se ka vdekur kreu i LDK’së, Isa Mustafa si pasojë e infektimit me koronavirus, shkruan Metro.

Policinë pas shpërndarjes së videove e ka lajmëruar sekretari i LDK’së, Arban Abrashi.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Abrashi ka thënë se kanë lajmëruar menjëherë policinë e Kosovës pas përhapjes së videove dhe se i dyshuari është arrestuar.

Sot në rrjete sociale janë shpërndarë edhe disa foto e video të rreme, ku thuhet se kreu i Lidhjes Demokratike ka ndërruar jetë.

Madje, me anë të montazhës janë bashkuar edhe video kur anëtarë të kësaj partie po bënin homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova.

Megjithatë, sipas njoftimit të familjarëve të Mustafës, lideri i LDK’së po vazhdon që të qëndrojë në vetëizolim dhe është në gjendje të mirë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.