Arrestohet një 33-vjeçar me substanca të dyshuara në Prizren
Aksioni i gjerë policor i nisur pas mesnate në disa lokale të njohura në qendrën tregtare “ABI Çarshia” në Prizren ka rezultuar me një tjetër arrestim.
Siç ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN) në Prizren, policë nga stacioni lokal dhe njësi të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë kryer kontrolle në orët e para të 15 qershorit 2025 në lokalet “Bar-Bon”, “Che-Bar” dhe “Ponte”. Ky operacion është pjesë e operacionit sezonal “Verë 2025” dhe është kryer me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Gjatë një kontrolli të detajuar në lokalin “Bar-Bon”, burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se tek një person janë gjetur 10 tableta të dyshuara me substancë të panjohur dhe një mjet i mprehtë – brisk.
I dyshuari është identifikuar si F.P., 33 vjeçar.
Pas verifikimeve fillestare dhe në konsultim me hetuesin kujdestar dhe Prokurorin e Shtetit, është marrë vendimi që i njëjti të ndalohet për 48 orë. Ai dyshohet për veprat penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i substancave të dyshuara”.