Arrestimi “aksidental” i aktorëve kosovarë në Shqipëri, flet dramaturgu – Jeton Neziraj

07.02.2024

Dramaturgu Jeton Nerizaj ka treguar për IndeksOnline versionin e tij lidhur me ndalimin që iu bë nga Policia në Shqipëri.

Arrestimi “aksidental” i aktorëve kosovarë në Shqipëri, flet dramaturgu – Jeton Neziraj Foto: Ilustrim

Ai ka thënë se janë mbajtur me dhunë dhe janë terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

Neziraj ka thënë se u ndaluan teksa po ktheheshin nga Italia pas një shfaqje të tyre në Firenzë.

“Të dielen vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar. U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht”, ka thënë ai.

Më tutje, ai thotë se gjatë dhjetë orëve kanë qenë pre e një terrori sistematik, madje edhe të sulmuar fizikisht e psiqikisht, siç i quan ai: nga vagabondë të veshur në uniforma policore.

“Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar”, ka shtuar ai.

Krejt në fundi, ai ka falëndëruar të gjithë ata që janë interesuar dhe shqetësuar për ndalimin e tyre

“ U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucionev në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje. Ekipi i shfaqjes The Handke Project”, ka përfunduar ai.

Për këtë rast është deklaruar sot edhe ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla.