Ministri gjerman i Shtetit, Gunther Krichbaum, pas një takimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka theksuar se çdo arrestim duhet të jetë i justifikuar dhe proporcional, ndërsa ka bërë thirrje për respektimin e procedurave ligjore dhe garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor.

“Ne vazhdojmë ta monitorojmë nga afër arrestimin e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Çdo masë e heqjes së lirisë duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale,” thuhet në një deklaratë të Zyrës për Punë të Jashtme të Gjermanisë.

Po ashtu, autoritetet gjermane po ndjekin me vëmendje edhe rastin e Arbnor Spahiut, një shtetas kosovar i arrestuar nga autoritetet serbe. Ministri Krichbaum ka kërkuar që Serbia të sigurojë zbatim të plotë të procedurave ligjore dhe të respektojë të drejtat themelore të individit, në përputhje me marrëveshjen për drejtësinë të arritur në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

Gjermania ka kujtuar se marrëveshjet e dialogut parashohin që rastet penale për vepra të kryera në Kosovë duhet të trajtohen kryesisht në Kosovë, duke vënë në dukje nevojën për koordinim dhe respektim të mekanizmave ekzistues.

Ministri gjerman u ka bërë thirrje të dyja palëve që të riforcojnë angazhimin në procesin e dialogut, duke theksuar rëndësinë e lëvizjes së lirë dhe të sigurt për negociatorët dhe ekipet e tyre, si dhe përmbajtjen në deklaratat publike.

“Gjermania është e gatshme të mbështesë të dy shtetet në avancimin e një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit,” përfundon deklarata.

Krichbaum ka rikonfirmuar se Ballkani Perëndimor mbetet pjesë e së ardhmes evropiane, dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një përparësi kyçe për integrimin rajonal në BE.

Ai ka nënvizuar se respektimi i vlerave dhe standardeve evropiane është detyrim i përbashkët për të dyja palët, duke e cilësuar këtë si çelës për stabilitetin dhe integrimin afatgjatë të rajonit.