Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

27.02.2024

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka vazhduar seancës gjyqësore në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kurse seanca e paraparë për sot është shtyrë më 28 shkurt.

Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së Foto: Ilustrim

Dje, në Dhomat e Specializuara e ka dëshmuar dëshmitari i mbrojtur, i 47-ti me radhë, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Prokurorja Sarah Clanton, në përmbledhjen për dëshmitarin e prezantoi atë si banor të Prizrenit që është ndaluar e keqtrajtuar prej pjesëtarëve të UÇK-së.

Në seancën e djeshme është folur edhe për ecurinë e çështjes, ku u bë e ditur se seanca e paraparë për sot është shtyrë. Kryetari i trupit gjykues, njoftoi të hënën se dëshmia e dëshmitarit të radhës do të dëgjohet të mërkurën, më 28 shkurt, përmes video-lidhjes.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë ishin paraparë të mbahen tri seanca, por me gjasë do të mbahen vetëm dy, kjo pasi që seanca e 27 shkurtiti është shtyrë për nesër.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.