Antonio Costa viziton Kosovën javën e ardhshme, pjesë e turneut ballkanik
Vizita e Presidentit Costa në Prishtinë është planifikuar për të mërkurën, më 14 maj.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të vizitojë Kosovën javën e ardhshme, në kuadër të një turneu ballkanik, që shënon vizitën e tij të parë në rajon që prej marrjes së detyrës në krye të Bashkimit Evropian.
Një ditë më parë, ai do të qëndrojë në Beograd, vizitë kjo që vjen pak ditë pas udhëtimit të presidentit serb në Rusi, pavarësisht vërejtjeve të Brukselit lidhur me pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e Ditës së Fitores në Moskë.
Zyrtarët evropianë e arsyetojnë vendimin për të mos anashkaluar kryeqytetin serb me angazhimin e institucioneve dhe mbështetjen për të gjitha vendet e rajonit. Sipas tyre, puna dhe zhvillimet në shtetet e Ballkanit Perëndimor më vonë reflektohen përmes vendimeve të marra në Këshillin e BE-së.
Turneu i Presidentit Costa në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor ndodh në prag të samitit të Bashkësisë Politike Evropiane, i cili do të mbahet në fund të javës së ardhshme në Tiranë.
Bashkësia Politike Evropiane është një nismë pan-evropiane që daton nga viti 2022, e themeluar me iniciativën e presidentit francez Emmanuel Macron. Ajo bashkon mbi 40 liderë nga shtetet e kontinentit evropian dhe institucionet e BE-së. Ky forum shërben për të diskutuar të ardhmen e përbashkët të Evropës, çështjet e sigurisë dhe mbrojtjen e demokracisë.