Analizë: Paralajmërohet rritje e ndikimit politik anti-Kosovë në rajon përmes Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut
Sipas një analize të Dr. Gurakuç Kuçi, Serbia po përdor mekanizma politikë, shoqërorë dhe identitarë për të ndikuar narrativat ndaj Kosovës në vendet fqinje.
Një analizë e publikuar nga Dr. Gurakuç Kuçi, profesor në Kolegjin Universum dhe bashkëpunëtor i jashtëm në ISLH “OCTOPUS”, paralajmëron për një rritje të ndikimit politik dhe shoqëror në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili sipas tij po krijon një klimë më kritike ndaj Kosovës në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas kësaj analize, Serbia po zhvillon një qasje shumëvektoriale ndikimi, e cila nuk kufizohet vetëm në nivel diplomatik, por shtrihet edhe në hapësira lokale, përmes komunave, partive politike, narrativave historike dhe elementeve fetare e kulturore.
Në analizë veçohet rasti i Komunës së Zetës në Mal të Zi, e cila ka marrë një vendim simbolik lidhur me njohjen e Kosovës.
Megjithëse ky vendim nuk ka fuqi juridike, sipas autorit ai përfaqëson një akt me ndikim politik dhe psikologjik, që synon të testojë reagimet institucionale dhe publike.
Analiza thekson se zhvillime të tilla mund të shërbejnë si precedent për veprime të ngjashme në nivel lokal, duke krijuar hapësirë për rritjen e narrativave politike kundër Kosovës.
Sipas Dr. Kuçi, pas ndryshimeve politike në Mal të Zi është vërejtur forcim i partive dhe aktorëve pro-serbë, të cilët përdorin çështje identitare, fetare dhe historike për të ndikuar orientimin politik të vendit.
Ai argumenton se Mali i Zi po shndërrohet në një hapësirë të rëndësishme strategjike për Serbinë, ku Kosova përdoret si element në diskursin politik dhe identitar.
Analiza përfshin edhe zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, ku sipas autorit janë regjistruar raste të retorikës nacionaliste dhe incidente me përmbajtje etnike në hapësira publike dhe sportive.
Këto zhvillime interpretohen si pjesë e një tendence më të gjerë për normalizimin gradual të diskursit të urrejtjes, i cili sipas analizës nuk duhet parë si i izoluar, por si pjesë e një modeli rajonal.
Në përfundim, Dr. Kuçi e përkufizon këtë dinamikë si një “rrethim psikopolitik” ndaj Kosovës. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për rrethim ushtarak, por për një proces të ndërtimit të klimës së armiqësisë përmes narrativave shoqërore dhe politike në vendet fqinje.
Ky proces, sipas analizës, kalon në disa faza: nga krijimi i narrativës, te formimi i emocioneve kolektive, më pas mobilizimi lokal dhe në fund shndërrimi i tyre në veprime simbolike institucionale.
Analiza thekson se këto zhvillime mund të krijojnë presion të shtuar politik dhe diplomatik ndaj Kosovës, duke zhvendosur konfliktin narrativ nga niveli shtetëror në atë rajonal dhe lokal.
Sipas autorit, sfida kryesore mbetet identifikimi dhe adresimi në kohë i këtyre proceseve që zhvillohen në mënyrë graduale dhe të shpërndarë në rajon.
