AME apel për kujdes gjatë verës: “Zjarrëvëniet rrezikojnë jetën dhe janë vepër penale”
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka bërë sot një apel të fuqishëm publik drejtuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë sezonit veror, i cili shquhet për temperatura të larta dhe rrezik të shtuar nga shpërthimet e zjarreve në pyje, fusha dhe hapësira të hapura.
Në njoftimin zyrtar të AME-së theksohet se zjarret, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, shkaktojnë ndotje të ajrit, shkatërrim të natyrës dhe paraqesin rrezik të madh për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Zjarrvëniet janë vepër penale!”, thuhet qartë në njoftim, duke rikujtuar se çdo zjarr i shkaktuar qëllimisht apo nga pakujdesia, konsiderohet si shkelje e rëndë ligjore dhe ndëshkohet sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
AME paralajmëron se përgjegjësit për zjarrvënie do të përballen me ndjekje penale dhe masa të ashpra ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Apeli vjen në kohën kur temperaturat në vend po rriten ndjeshëm dhe rreziku nga zjarret në natyrë është në nivele të larta. Autoritetet kërkojnë bashkëpunim nga qytetarët për të parandaluar situata të rrezikshme dhe për të ruajtur mjedisin dhe jetën njerëzore.
AME përfundon njoftimin duke bërë thirrje për raportim të menjëhershëm të çdo zjarri apo veprimi të dyshimtë që mund të shkaktojë zjarr, në mënyrë që të parandalohet përhapja dhe të ndërmerren masa të shpejta nga autoritetet përkatëse.