Ambasadori gjerman Rohde: Sulmet dhe fushatat shpifëse të Serbisë po shtrihen përtej kufirit

18.02.2025

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të autoriteteve serbe ndaj aktivistëve në Beograd, duke theksuar se këto sulme dhe fushata shpifëse po shtrihen edhe përtej kufirit të Serbisë.

Rohde ka cituar kryevëzhguesen e Bashkimit Evropian për zgjedhjet në Kosovë, Nathalie Loiseau, e cila ka theksuar se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë nëpërmjet Listës Serbe.

“Këto sulme dhe fushata shtrihen përtej kufirit serb. Siç ka theksuar shefja e Misionit të Vëzhgimit në Kosovë, Nathalie Loiseau, Serbia ndërhyri në zgjedhjet në Kosovë duke kërkuar vota për Listën Serbe. Në të njëjtën kohë, Serbia në mënyrë të pabazë akuzon Kosovën për mbështetjen e protestave në Serbi, pa asnjë provë”, ka shkruar Rohde në platformën “Bluesky”.

Reagimi i ambasadorit gjerman vjen në një kohë kur situata në Serbi mbetet e tensionuar, me raporte për sulme ndaj aktivistëve dhe protestuesve. Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka shprehur shqetësimin e saj për situatën në Serbi, duke theksuar se ky shtet është kandidat për anëtarësim në BE dhe “ne presim që ajo të mbështesë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut”.