Ambasadori gjerman kërkon rritje të pranisë policore në veri, inkurajon integrimin e serbëve
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë thirrje për rritjen e pranisë së Policisë së Kosovës në veri të vendit, pas një sërë incidentesh të fundit.
Në një deklaratë për media, Rohde theksoi rëndësinë e sigurisë në rajon, duke iu referuar ngjarjeve si ajo në Banjskë dhe sulmet me granata dore.
“Nëse ka pasur sulm terrorist, ka pasur incidente, janë hedhur granata dore, me rëndësi është se aty ka qenë edë Banjska. Po, duhet të rritet prania e policisë, prania e policisë duhet të jetë adekuate dhe me sa kam dëgjuar prezenca e policisë tashmë është zvogëluar,” u shpreh ambasadori gjerman.
Rohde kritikoi gjithashtu disa OJQ-të që kanë komentuar negativisht rritjen e pranisë policore, duke e cilësuar këtë si një reagim normal ndaj rritjes së tensionit.
Një tjetër çështje e ngritur nga ambasadori gjerman ishte nevoja për një përfaqësim më të madh të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, sidomos në Policinë e Kosovës. “Prandaj, të rekrutohen policë dhe të kemi policë nga radhët e minoriteteve në Kosovë, sepse me sa di unë i kemi 150 të cilët janë duke u trajnuar,” tha ai.
Rohde shtoi se bojkoti i institucioneve nga ana e serbëve të Kosovës nuk është zgjidhje dhe i bëri thirrje atyre të integrohen në jetën e përditshme të vendit. “Mendoj se pakicat, serbët e Kosovës, duhet të pranojnë se kjo është Kosova dhe të bashkëpunojnë, të integrohen në vendin ku jetojnë,” theksoi ai.