Ambasadori amerikan: Qeveria të formohet shpejt dhe me efikasitet

18.02.2021

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, u bëri thirrje partive fituese në Kosovë, që të formojnë Qeverinë “shpejt dhe me efikasitet”. “Nuk ka kohë për vonesa kur Qeveria e re përballet me kaq shumë sfida”, tha Kosnett, teksa foli në ceremoninë inauguruese të induksionit gjyqësor të Akademisë së Drejtësisë, të enjten në […]

Ambasadori amerikan: Qeveria të formohet shpejt dhe me efikasitet Foto: Ilustrim

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, u bëri thirrje partive fituese në Kosovë, që të formojnë Qeverinë “shpejt dhe me efikasitet”.

“Nuk ka kohë për vonesa kur Qeveria e re përballet me kaq shumë sfida”, tha Kosnett, teksa foli në ceremoninë inauguruese të induksionit gjyqësor të Akademisë së Drejtësisë, të enjten në Prishtinë.

Kosnett tha se “nuk ka asnjë sfidë më urgjente dhe më të rëndësishme” sesa luftimi i pandemisë së koronavirusit.

Ai tha se qytetarët duhet të mbeten të kujdesshëm dhe vigjilentë, por shtoi se, “për fat të keq, një shkallë e tillë kujdesi nuk është vërejtur nga politikanët dhe qytetarët e Kosovës, në javët përpara zgjedhjeve” të 14 shkurtit.

Gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, në shumë tubime janë vërejtur njerëz që nuk kanë veshur maska dhe nuk e kanë respektuar distancën sociale – masa këto të kërkuara për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa  në vend të dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës dhe në të tretin Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kosnett ka takuar të martën udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, me të cilin, siç ka thënë, ka diskutuar “rrugën përpara të Kosovës”.