Ambasadori amerikan në Kosovë: Fituesit e zgjedhjeve ta krijojnë Qeverinë shpejt, s’ka kohë për vonesa

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka uruar edhe njëherë qytetarët e Kosovës për mbajtjen e suksesshme dhe të qetë të zgjedhjeve, ndërsa ka nxitur partitë fituese të formojnë qeverinë shpejt dhe me efikasitet.

Kosnett me rastin e pranimit të gjyqtarëve të rinj në Akademinë e Drejtësisë tha se nuk ka kohë për të humbur kur dihet që qeveria e re përballet me shumë sfida dhe se qytetarët e Kosovës meritojnë qeveri efikase që e përmbush mandatin e saj të plotë.

Njoftimi i plotë:

Mirëmëngjesi drejtor Fejzullahu, kryetar i Gjykatës Supreme Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Çoçaj, kolegu im ambasador Szunyog, kryetarë gjykatash, gjyqtarë, zonja dhe zotërinj.

Veçanërisht ju uroj mirëseardhje dhe ju shprehu urime gjyqtarëve më të ri të Kosovës. Si roje të demokracisë, juve ju është besuar detyra e shenjtë e mbrojtjes së Kushtetutës së Kosovës.

Dëshiroj të uroj popullin e Kosovës për mbajtjen e suksesshme dhe të qetë të zgjedhjeve. Edhe një herë populli e tha fjalën e vet. I nxis partitë fituese të formojnë qeverinë shpejt dhe me efikasitet. Nuk ka kohë për të humbur kur dihet që qeveria e re përballet me shumë sfida. Qytetarët e Kosovës meritojnë qeveri efikase që e përmbush mandatin e saj të plotë.

Asnjë sfidë nuk është më urgjente dhe më e rëndësishme se luftimi i pandemisë. Edhe unë, sikurse edhe ju, do të kisha pasur dëshirë të jem aty, por pandemia nuk ka lëshuar pe, prandaj nuk duhet as ne. Duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm dhe syçelur. Për keqardhje, nuk e kemi parë të njëjtën shkallë të kujdesit nga politikanët dhe qytetarët e Kosovës në javët para zgjedhjeve.

Nuk është e nevojshme t’jua përkujtoj se tubimet e mëdha me pjesëmarrës pa maska do të përkeqësojnë krizën tashmë të rëndë të shëndetit publik. Në këtë vazhdë, i përgëzoj qytetarët e Kosovës dhe vëzhguesit e zgjedhjeve që e sfiduan pandeminë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar duke bartur maskë dhe duke marrë masat e tjera të nevojshme.

Si procesi zgjedhor, ashtu edhe gjyqësori i pavarur, i mishëruar në kushtetutat e dy vendeve, SHBA-së dhe Kosovës, është shtyllë kryesore e demokracisë. Gjyqësori i pavarur, gjyqësori që nuk i nënshtrohet presionit politik, është thelbësor për respektimin e sundimit të ligjit.

Ju, si gjykatës, keni fuqinë për të zbatuar dhe gjykuar, por kjo duhet të rrënjoset në prova dhe në vetë ligjin. Në punën tuaj, ju duhet të lini mënjanë gjithçka që mund të shpërqendrojë ose t’ua tërheqë vëmendjen nga ndjekja e drejtësisë dhe sigurimi i një sistemi të drejtë për popullin e Kosovës. Kjo nuk është detyrë e lehtë dhe kërkon guxim. Guxim për të lënë anash zhurmën politike. Guxim për të vepruar bazuar në ligj, jo sipas bindjeve tuaja personale ose politike.

Siç e dini, Shtetet e Bashkuara rishtazi u ballafaquan ndoshta me krizën më të rëndësishme kushtetuese në dekada, sigurisht të paktën në brezin tim. Në Shtetet e Bashkuara, shumë njerëz kishin shqetësime se Gjykata Supreme mund të merrte një vendim bazuar në bindjet politike. Kishte spekulime se Gjykata Supreme, e cila tani ka shumicë gjyqtarësh të emëruar nga presidentët republikanë, do t’ia dorëzonte zgjedhjet Presidentit në largim, përkundër paaftësisë së mbështetësve për të paraqitur dëshmi të mashtrimit të përhapur. Megjithatë, gjyqtarët injoruan zhurmën, u përqendruan në punën e tyre dhe morën vendime duke interpretuar ligjin.

Kjo ndodhi jo vetëm në Gjykatën Supreme, por edhe në gjykatat më të ulëta në të gjithë vendin. Gjykatat e ulta ruajtën pavarësinë e tyre gjatë gjithë ciklit zgjedhor dhe vazhdimisht hodhën poshtë pohimet e pretenduara të mashtrimit në zgjedhje kur paditësit nuk arritën të mbështesin pohimet e tyre. Kur aktivistët politikë u përpoqën të ngrinin këto akuza në Gjykatën e Lartë, përfundimisht ajo vendosi unanimisht të lërë çështjet dhe vendimin në gjykatat më të ulëta.

RAPORTO