Aleatët në aksion: BE dhe NATO “të angazhohen bashkërisht” për Kosovën

02.07.2024

Në vitin 2013, kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, pritjet ishin që ajo të sillte frymë të re mes dy vendeve armiqësore, t’i trajtonte ndarjet etnike në Kosovë dhe t’i hapte rrugë integrimit më të madh ndërkombëtar të shtetit – atëkohë vetëm 5 vjeç.

Aleatët në aksion: BE dhe NATO “të angazhohen bashkërisht” për Kosovën Foto: Ilustrim

Udhëheqës të negociatave ishin Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiq, kryeministër i Serbisë.

Ajo që i uli bashkë në tryezë dhe arriti t’i përafronte qëndrimet mes tyre pas gjashtë muajsh bisedime, ishte Catherine Ashton, atëkohë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

“Negociatat përfunduan. Teksti [i marrëveshjes] u nënshkrua nga të dy kryeministrat. Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë”, tha Ashton në prill të 2013-ës.

Marrëveshja nuk u zbatua kurrë në tërësi prej asnjërës palë dhe ato fajësuan vazhdimisht njëra-tjetrën për dështime.

Ashton u zëvendësua në vitin 2014 nga Federica Mogherini, e cila ndërmjetësoi disa runde negociatash mes Kosovës dhe Serbisë, por dëshmoi edhe valë të reja të tensioneve mes tyre.

Në vitin 2019, pozitën e shefit të politikës së jashtme të BE-së e mori Josep Borrell, nën mandatin e të cilit Kosova dhe Serbia arritën edhe një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, por që, njësoj, nuk u zbatua.

Përkundër përpjekjeve javën e kaluar, Borrell nuk arriti t’i ulte bashkë në tryezë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkak të, siç tha, disa kushteve që nxori Kurti, e që Vuçiq nuk i pranoi.

Për të dyja vendet, normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të përparuar në rrugën e anëtarësimit në BE. Aktualisht, të dyja ato janë në vendndalim: Kosova nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin për anëtarësim, të bërë qysh në fund të vitit 2022, ndërsa Serbia, nga viti 2021, nuk ka hapur asnjë kapitull të negociatave për pranim.

Ndërmjetëse mes tyre, nga vjeshta, do të jetë Kaja Kallas, e cila do të konfirmohet në pozitën e shefes së politikës së jashtme të BE-së për pesë vjetët e ardhshëm. Kallas, aktualisht kryeministre e Estonisë, është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

Për vëzhguesit e dialogut Kosovë-Serbi, Kallas do të duhej ta ndryshonte taktikën e ndërmjetësimit mes dy vendeve. Kushtëzimi me vetëm integrimin evropian nuk ka bërë punë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Maja Pishqeviq, nga Këshilli Atlantik.

“Instrumenti i fuqishëm financiar do të ishte një nga mënyrat – pra ndalimi i mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian, e cila është shumë e rëndësishme për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse ato ankohen se ajo nuk është e mjaftueshme, do të ishte shumë e rëndë për secilin prej vendeve nëse do të mbetej pa të”, thotë Pishqeviq.

Bashkimi Evropian planifikon ndarjen e një fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian të tyre.

Gjatë një vizite në Prishtinë dhe në Beograd, më 18 dhe 19 qershor, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsollav Lajçak – i cili po ashtu do të zëvendësohet në muajt e ardhshëm – paralajmëroi se Kosova dhe Serbia duhet të dëshmojnë qasje konstruktive në dialog, për të pasur qasje në këtë fond.

Pishqeviq thotë se kjo është e domosdoshme të zbatohet në praktikë, sa më parë që të jetë e mundur.

“Kushdo që e zëvendëson Lajçakun, duhet të ketë instrumente të tjera për ta drejtuar procesin. Nëse nuk i ka, do të përfundojë si Lajçaku [pa i bindur palët për t’i zbatuar marrëveshjet]. Nuk jam optimiste se do të ndryshojë ndonjë gjë, nëse vetëm emrat [e ndërmjetësuesve] ndryshojnë”, thotë Pishqeviq.

Marrë parasysh “status quo-në e brishtë” në Kosovë, Pishqeviq shton se BE-ja do të duhej të koordinohej edhe me partnerë ndërkombëtarë, të tillë si NATO-ja, për të mbështetur procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

NATO-ja, me misionin e saj paqeruajtës KFOR, është e pranishme në Kosovë që nga fundi i luftës më 1999. Nën vëzhgimin e saj, shtatorin e kaluar ndodhi një sulm i armatosur në fshatin Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku grupe të armatosura të serbëve sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic dhe duke rritur shqetësime për sigurinë rajonale.

Vetëm pak muaj para atij sulmi, po në veri të Kosovës, grupe serbësh u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it, në protestat kundër kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe.

Javën e kaluar, në krye të aleancës ushtarake u emërua sekretari i ri i përgjithshëm, Mark Rutte. Rutte, i cili për 14 vjet shërbeu si kryeministër i Holandës, është i njoftuar nga afër për situatën në Kosovë.

Ai zhvilloi disa takime me udhëheqësit aktualë – të fundit me presidenten Vjosa Osmani më 17 qershor, në margjina të një samiti për Ukrainën.

Verën e kaluar, ai ishte personalisht në Kosovë, për të bërë thirrje për uljen e tensioneve, pas disa incidenteve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, thotë për Exposenë se gjëja e parë që do të duhej të bëjë Rutte në Kosovë, është ta forcojë misionin e KFOR-it në kufirin e saj me Serbinë.

“Pas incidentit në Banjskë, vitin e kaluar, kur paraushtarakët serbë kanë depërtuar në Kosovë dhe kanë shkaktuar kaos, është parë mungesa e sigurisë në kufi. Ka qenë e lehtë për ta të fusin armë dhe personel. KFOR-i është forcuar pastaj me ushtarë nga Turqia, Britania, Gjermania… por duhet të jetë edhe më i dukshëm në veri dhe të patrullojë në kufi”, thotë Shea.

Ai shpreh bindjen se Rutte, si shef i NATO-s, do ta mbajë Kosovën lart në agjendë, pikërisht për shkak të situatës së brishtë të sigurisë, por, sipas tij, ai do të duhej ta rriste edhe angazhimin diplomatik me Bashkimin Evropian.

“Do të doja ta shihja Rutten duke punuar më afër me presidenten e Komisionit Evropian – që prapë pritet të jetë Ursula von der Leyen – në atë mënyrë si ka punuar ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, me ish-përfaqësuesin e lartë të BE-së, Javier Solana, për të shmangur luftën në Maqedoni [në fillim të viteve 2000]. Me misione të përbashkëta që përçojnë të njëjtin mesazh, unë mendoj se mund të shohim përparim më të shpejtë”, thotë Shea.

Një tjetër gjë që, sipas tij, është koha të ndodhë, është forcimi i partneritetit mes NATO-s dhe Kosovës.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, autoritetet në Kosovë kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO, por, marrë parasysh se në radhët e saj janë katër shtete që nuk e njohin Kosovën – Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia – dhe vendimi për zgjerimin duhet të merret në mënyrë unanime, ajo kërkesë nuk ka shkuar përpara.

Nën shefin e deritashëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Asambleja Parlamentare e aleancës miratoi, muajin e kaluar, avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Shea thotë se do të donte ta shihte Rutten më “bujar” ndaj Kosovës kur bëhet fjalë për aktivitetet e përbashkëta.

“Kosova i ka disa aktivitete të partneritetit me NATO-n – si ushtrime, trajnime, këshilla për prokurimin – por nuk ka qasje në menynë e plotë të të gjitha aktiviteteve bashkëpunuese në kuadër të Partneritetit për Paqe, kryesisht për shkak se katër aleatë vazhdojnë të mos e njohin atë”.

“Marrë parasysh interesimin e dukshëm të Kosovës për t’u bërë një ditë anëtare e NATO-s, Rutte duhet të përpiqet t’i bindë aleatët që t’i japin Kosovës mundësi më të mëdha për t’u përafruar dhe ndërvepruar me NATO-n. Mendoj se ky do të ishte një sinjal pozitiv”, thotë Shea.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës, ashtu si edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë se çka presin prej udhëheqësve të rinj të BE-së dhe të NATO-s, por nuk mori përgjigje.

Ajo që është e sigurt, është se sfidat e tyre edhe në frontin global, nuk do të jenë pak – nisur nga lufta në Ukrainë deri te kthimi i mundshëm i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, i cili hapur ka vënë në pikëpyetje unitetin e NATO-s.

Andaj, puna e tyre nuk duket se do të jetë e mërzitshme. /REL/