Ajo konfirmoi se mandati për krijimin e qeverisë i është dhënë Glauk Konjufcës, ndërsa akuzoi opozitën për bllokimin e institucioneve dhe urrejtje ndaj Vetëvendosjes dhe Kurtit personalisht.

“Konjufca është person unifikues, i dytë më i votuari në vend, dhe propozimi ynë ka ardhur për të shmangur një krizë të re politike. Ne kërkojmë votimin e buxhetit dhe një qeveri të përkohshme, para se vendi të shkojë sërish në zgjedhje”, tha Haxhiu, duke theksuar se opozita, sipas saj, po e mban peng shtetin nga inati me Albin Kurtin.

Ajo vuri në pah se LDK-ja është shkëputur nga elektorati i saj, ndërsa për Fatmir Limajn tha se negociatat dështuan sepse “kërkoi më shumë se sa ia dha populli”.

Haxhiu shtoi se Vetëvendosja nuk pranon pazare për poste, ambasada apo tenderë dhe u shpreh optimiste për mandatin e dytë të Konjufcës, duke thënë se votat mund të sigurohen nëse deputetët do të ishin të lirë nga presionet e kryetarëve të partive.

Gjithashtu, ajo vlerësoi rolin e presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se ka vepruar “në përputhje me Kushtetutën” për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme.