Albulena Haxhiu: Diversiteti dhe bashkimi janë forca e Republikës – Urime Ditën e Komunitetit Ashkali
Me rastin e Ditës së Komunitetit Ashkali dhe Ditës së Flamurit të tyre, Kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur sot në Kuvend deputetin Artan Asllani, së bashku me përfaqësues të nivelit qendror e lokal dhe aktivistë të komunitetit Ashkali.
Foto: Ilustrim
Gjatë takimit, Haxhiu theksoi kontributin e rëndësishëm të komunitetit Ashkali në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, duke vlerësuar angazhimin e përfaqësuesve dhe aktivistëve të tij si shtyllë e zhvillimit dhe bashkëpunimit në vend.
Ajo nënvizoi se diversiteti dhe bashkimi janë jo vetëm forca e shoqërisë sonë, por edhe forca e vetë Republikës.Në këtë takim u reflektua gjithashtu mbi sfidat me të cilat përballet komuniteti Ashkali dhe mënyrat se si ato mund të kapërcehen përmes bashkëpunimit të ndërsjellë.
Kryetarja e Kuvendit siguroi se, krahas përpjekjeve të ekzekutivit, Kuvendi do të vazhdojë të jetë i përkushtuar për barazi dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, veçanërisht për komunitetet joshumicë.
Në fund, Haxhiu uroi Ditën e Flamurit dhe Ditën e Komunitetit Ashkali për të gjithë qytetarët e këtij komuniteti.
