Zgjedhja e Glauk Konjufcës kryetar të Kuvendit të Kosovës, siç duket ka prishur të gjitha matematikat e koalicionit LVV-LDK, po ashtu kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se të gjitha marrëveshjet bien në ujë.

Albin Kurti atë ditë i befasoi të gjithë, por Isa Mustafa u përgjigj menjëherë, i dha pa asnjë kusht votat e LDK-së për të, dhe po ashtu i habiti të gjithë.

Në atë që dukej si një lojë shahu, secili prej tyre mendoi se fitoi me shah-mat.

Por, ky triller politik, i zhvilluar të enjten, ka kthyer mbrapshtë përpjekjet e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndërtimin e Qeverisë, për çfarë dy partitë ishin zotuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke i shndërruar kështu përkohësisht dy liderët në humbës dhe jo në fitues.

Raportet mes dy subjekteve politike qartazi janë lënduar skajshmërisht dhe besimi ka rënë në pikën zero.

Në skajin tjetër politik, fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin, në një situatë kur më nuk e ka të sigurt partnerin që do t’ia mundësonte ngjitjen në Zyrën e Kryeministrit, nuk po e çojnë këmbët në Presidencë për ta marrë mandatin.

I vetmuar, ai tashmë ka vetëm një zgjidhje: ta hapë pakon për LDK-në, duke iu nënshtruar pa kushte asaj, në mënyrë që ta mundësojë arritjen e marrëveshjes. Ky duket se do të jetë një nënshtrim i domosdoshëm i dinjitetit.

Burimet thonë se Vetëvendosje është e gatshme të dorëzohet para kërkesave të LDK-së, ndërkohë që në kampin tjetër pazari është rritur.

Megjithatë, kjo mund të mos ia sigurojë atij realizimin e ëndrrës për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës.

Në LDK, thonë burimet, ndjehen të fyer me aktin e së enjtes, kur Albin Kurti njëanshëm hodhi në votimin Glauk Konjufcën për postin e Kryeparlamentarit, gjë që u përjetua si thikë në shpinë për LDK-në dhe që gjithashtu i shkaktoi një plagë të madhe marrëveshjes së mundshme për bashkëqeverisje.

Isa Mustafa, megjithatë, nuk i ka mbyllur të gjitha rrugët.

“Kur të arrihet te ura, mandej vendoset si me e kalu urën… Shohim dhe bëjmë”, ka deklaruar ai, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Kur të arrihet te ura, mandej vendoset si me e kalu urën… Shohim dhe bëjmë”, ka deklaruar ai, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, nga asnjëra palë nuk flasin nëse do të ketë një takim të ri, për ta provuar mbase edhe një tentim të fundit për marrëveshje./KK/

Kujtojmë se sipas burimeve të GazetaBlic, LVV dje i bëri një ofertë të re LDK-së, ku LDK-së i është propozuar t’i merr gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja VETËVENDOSJE!

Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK-së, dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV-së, duke u barazuar 5-5 sa i përket ministrive.

Po ashtu sipas kësaj oferte, zv.kryeministri i parë, parashihet t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), sipas burimeve të Blic, Albin Kurti është duke e pritur përgjigjen nga ana e kryetarit të LDK-së për të marrë vendim se a do të shkojë në takim me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për tu mandantuar si kryeministër i vendit.