Aktakuzë për tentativë vrasjeje të rëndë pas incidentit me armë në Prizren

para 24 dite

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër katër personave lidhur me incidentin e armatosur të ndodhur më 29 janar në parkingun e një pompe derivatesh te Tranziti i Ri në Prizren, ku mbetën të plagosur dy persona.

Aktakuzë për tentativë vrasjeje të rëndë pas incidentit me armë në Prizren

Aktakuza ngre akuza për veprat penale të “Vrasjes së rëndë” të mbetur në tentativë, “Mbajtjes së armëve pa autorizim” dhe “Përdorimit të armëve apo mjetit të rrezikshëm”.

Të akuzuarit janë identifikuar si V.H., E.K., A.H.(1) dhe A.H.(2).

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K., më 29 janar 2025, rreth orës 01:57, në parkingun e një pike karburanti në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren, me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të dëmtuarit V.H, A.H.(1) dhe A.H.(2), duke rrezikuar gjithashtu jetën e F.T.

Incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme. Kur i pandehuri E.K. dhe dëshmitari Gj.Sh. arritën me automjet në pikën e karburantit, ata vunë re të dëmtuarin V.H. Pas disa gjesteve, të dëmtuarit A.H.(1), A.H.(2) dhe F.T. iu afruan, dhe në këtë moment i pandehuri E.K. nxori një pistoletë të tipit “TT” dhe qëlloi në drejtim të V.H., A.H.(1) dhe A.H.(2), duke shkaktuar plagë të rënda tek dy të fundit dhe duke rrezikuar jetën e F.T.

Po ashtu, i pandehuri E.K. akuzohet se deri më 12 shkurt 2025, në Prizren, në kundërshtim me ligjin, ka mbajtur në posedim armën me të cilën kreu veprën.

Ndaj të pandehurve A.H.(1) dhe A.H.(2) është ngritur aktakuzë për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa ndaj V.H. për “Vrasje” të mbetur në tentativë dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Rasti tani do të vazhdojë në procedurat e mëtejshme gjyqësore.

Etiketat

Ofertat e fundit