Aksident tragjik në Lipjan, një i vdekur dhe një i lënduar
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në Grackë të Vogël të Lipjanit, ku janë përfshirë një kamion dhe dy vetura.
Si pasojë e këtij aksidenti, një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar se njësitë e trafikut kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet dhe për të menaxhuar situatën.
“Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një kamion dhe dy vetura. Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën ndërkaq për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti një person është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor,” tha Borovci.
Aksidenti ka shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullim në segmentin rrugor Lipjan-Shtime-Topliqan-Bujan. Policia ka ndërmarrë masa për lehtësimin dhe ridrejtimin e trafikut për të shmangur kaosin rrugor.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar. Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht në këtë periudhë kur kushtet e rrugës mund të jenë sfiduese.