Aksident tragjik në Lipjan, humb jetën një person pasi u godit nga traktori

18.08.2025

Një aksident i rëndë ka ndodhur të dielën paradite në komunën e Lipjanit, ku një person ka humbur jetën pasi u godit nga traktori i tij.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është regjistruar rreth orës 10:45, kur viktima, një mashkull kosovar, dyshohet se nga pakujdesia ka ndezur traktorin në mënyrë të parregullt, ndërsa ai ishte në shpejtësi. Si pasojë, mjeti bujqësor ka lëvizur në mënyrë të pakontrolluar dhe e ka goditur pronarin e tij.

Policia ka konfirmuar se vdekja e viktimës është konstatuar më pas në emergjencën e qytetit. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet e nevojshme.

Me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Autoritetet po vazhdojnë procedurat ligjore për sqarimin e plotë të këtij rasti tragjik.